Aktuale
Tregu i kriptomonedhave nën lupë: Pse po frenohet Bitcoin dhe çfarë paralajmërojnë analistët?
Reklamë e Sponsorizuar
Monedha kryesore dixhitale, Bitcoin, ka pësuar një tërheqje të lehtë duke zbritur në kufirin e 83 mijë dollarëve, pasi gjatë javës së kaluar prekte vlerën e rreth 87 mijë dollarëve.
Sipas një analize të bërë publike nga XTB më 1 tetor, sektori i kriptomonedhave po kalon një periudhë me sfida më të theksuara. Kjo vjen pasi kërkesa në tregun spot nuk po mban të njëjtin hap me blerjet që realizohen përmes ETF-ve dhe dinamikës në tregun e derivateve.
Forcimi i monedhës amerikane dhe ngritja e yield-eve të obligacioneve kanë krijuar një farë presioni mbi Bitcoinin, pavarësisht se ndikimi i tyre deri më tani mbetet brenda kufijve të arsyeshëm.
Duke iu referuar analizës teknike të XTB-së, Bitcoin ka shënuar dy hapa të fuqishëm para në drejtim të rritjes, ndërsa një ftohje e momentit aktual mund t'i hapë rrugë një rikthimi drejt fashës 87–90 mijë dollarë. Nga ana tjetër, pragjet prej afërsisht 92 mijë dhe 97 mijë dollarësh vazhdojnë të mbeten barriera të rëndësishme teknike.
Një tjetër parametër kyç që ndiqet me vëmendje nga ekspertët është bilanci 90-ditor i blerjeve dhe shitjeve. Ky tregues është shkëputur nga zona negative, duke sinjalizuar se blerësit po rifitojnë terren, edhe pse ende nuk ka arritur ato nivele që historikisht kanë paraprirë valët më të forta të rritjes së kërkesës.
Sa i përket tregut të derivateve, interesi i hapur në platformën Binance ka shënuar një rënie nga rreth 10.6 miliardë në 9.2 miliardë dollarë përgjatë shtatë ditëve të fundit. Kjo tregon një tkurrje të pozicioneve me levë, ndërkohë që, sipas XTB-së, qarkullimi në tregun spot vijon të mbetet i plogësht.
Për momentin, arkitektura e tregut mbështetet kryesisht te kontratat e së ardhmes. Raporti i vëllimit spot ndaj atij futures në Binance llogaritet në rreth 0.12, çka nënkupton se për çdo dollar të investuar në tregun spot, afro nëntë dollarë qarkullojnë në tregun e kontratave të së ardhmes.
Sipas vlerësimit të XTB-së, një rimëkëmbje më solide kërkon domosdoshmërisht gjallërim të aktivitetit në tregun spot. Mbështetja e tepruar te kontratat e së ardhmes e bën tregun më të ndjeshëm ndaj lëvizjeve të menjëhershme, likuidimeve të papritura dhe ndryshimeve të menjëhershme të atmosferës mes investitorëve.
Në të njëjtën kohë, treguesi MVRV Z-Score, i cili shërben për të matur vendndodhjen e çmimit të Bitcoin-it kundrejt ecurisë historike dhe kostos mesatare të blerjes në rrjet, qëndron ende mbi mesataren e tij 365-ditore. Kjo tablo flet për një horizont afatgjatë ende premtues, pa përjashtuar megjithatë korrigjimet e mundshme në planin afatshkurtër.
Në rrethanat aktuale, sytë e tregut mbeten të drejtuar nga ecuria e kërkesës në tregun spot dhe nga aftësia e blerësve për të intensifikuar sërish presionin pozitiv.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: