Botë
Gjenerali Wesley Clark kërkon lirimin e menjëhershëm të krerëve të UÇK-së: Procesi në Hagë është ofendues, mjaft më
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-komandanti i lartë i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, gjenerali Wesley Clark, ka adresa kritika të forta ndaj mbarëvajtjes së procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke bërë thirrje për kthimin e menjëhershëm të Hashim Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në atdhe.
Gjatë një interviste për Klan News, gjenerali amerikan kujtoi se gjatë konfliktit e kishte takuar Hashim Thaçin vetëm dy herë, duke sqaruar se ai nuk ishte njeriu që ushtronte komandën e drejtpërdrejtë mbi operacionet ushtarake në terren.
“Asnjëherë nuk më janë treguar prova për atë që mund të kishte bërë Thaçi. Unë e kam takuar dy herë Hashim Thaçin gjatë konfliktit në Kosovë. Ai nuk ishte udhëheqësi, Agim Çeku ishte drejtuesi”, u shpreh Clark, duke shtuar se Thaçi nuk kishte një kontroll të përditshëm mbi zhvillimet e luftës.
Më tej, ish-komandanti i aleancës euroatlantike vuri në shënjestër mënyrën se si po trajtohet koncepti i përgjegjësisë penale në këtë gjykatë.
Duke e cilësuar vendimin si “ofendues”, ai tregoi se gjatë dëshmisë së tij në Hagë ishte ndërprerë në momentin kur kishte tentuar të bënte një paralelizëm mes rebelimeve dhe përgjegjësisë për krimet e kryera.
Sipas pikëpamjes së tij, ish-presidenti i Kosovës po trajtohet padrejtësisht dhe është shndërruar në “viktimë” të një mekanizmi të gabuar gjyqësor.
“Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim”, theksoi ish-gjenerali.
Duke iu referuar akuzave të ngritura, ai deklaroi se kishte kërkuar vazhdimisht dokumente apo dëshmi inkriminuese, por sipas tij, nuk ka parë kurrfatë prove konkrete.
“Unë kam kërkuar provat, dhe nuk kishte prova. Të paktën në dijeninë time”, shtoi ai, duke bërë krahasim me Tribunalin për ish-Jugosllavinë, i cili sipas tij mbështetej në prova të qarta për krimet e luftës.
Në përmbyllje të prononcimit të tij, figura e njohur ushtarake kërkoi mbylljen e këtij kapitulli gjyqësor dhe rikthimin e ish-krerëve të UÇK-së në familjet e tyre në Kosovë.
“Mendoj se gjykata ka marrë fund. Le të rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë, dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar 5 vite në paraburgim. Mjaft me kaq”, u shpreh ai.
I pyetur mbi një mundësi të tillë, Clark konfirmoi gatishmërinë e tij për të dhënë kontributin e tij në fazën e apelit: “Do e vlerësoja shumë nëse do më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: