Sport
MINT: Hyrja në fuqi e Marrëveshjes Kosovë–EFTA, hap i rëndësishëm për ekonominë
Reklamë e Sponsorizuar
Kosova ka shënuar bilanc pozitiv tregtar prej 47.4 milionë eurosh me vendet e EFTA-s gjatë vitit 2025, ndërsa hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë pritet të krijojë mundësi të reja për rritjen e eksporteve.
Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, gjatë vitit 2025 Kosova eksportoi mbi 100.4 milionë euro në vendet e EFTA-s, ndërsa importoi rreth 53 milionë euro.
“Gjatë vitit 2025, Kosova eksportoi mbi 100.4 milionë euro në vendet e EFTA-s, ndërsa importoi rreth 53 milionë euro, duke shënuar bilanc pozitiv tregtar prej 47.4 milionë eurosh në favor të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Nga totali i eksporteve në këto tregje, sipas Ministrisë, rreth 99.4 milionë euro i përkasin eksporteve drejt Zvicrës.
Ministria ka bërë të ditur se për produktet industriale, eksportuesit kosovarë do të përfitojnë nga liberalizimi i plotë i tarifave doganore.
“Eksportet e një numri të konsiderueshëm të produkteve bujqësore do të përfitojnë nga tarifa të reduktuara ose zero, si dhe nga kuotat preferenciale, sipas kushteve të përcaktuara nga secili shtet i EFTA-s”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, marrëveshja krijon gjithashtu mundësi për rritjen e eksportit të shërbimeve, përmes qasjes më të favorshme në treg dhe lehtësirave të parashikuara për këtë sektor.
Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, sipas Ministrisë, përbëjnë tregje me fuqi të lartë blerëse dhe potencial për produktet dhe shërbimet nga Kosova.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: