Aktuale
Krizë arsimore në Francë: Valë protestash shkollore, mbi 160 institucione mbylljen dyert dhe qindra të ndaluar
Reklamë e Sponsorizuar
Një valë e fuqishme protestash të nxënësve të shkollave të mesme ka përfshirë Francën gjatë ditëve të fundit, duke sjellë bllokada, përleshje të ashpra dhe incidente të shumta pranë objekteve arsimore në disa qytete të ndryshme të vendit.
Këto tubime, të cilat morën jetë në rajonin e Parisit gjatë javës së kaluar, vijnë si pasojë e pakënaqësive të thella të nxënësve lidhur me oraret e ngarkuara mësimore, mungesën e stafit mësimor, mbingarkesën në klasa dhe infrastrukturën e dobët të shkollave.
Sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve në terren, rreth 900 protesta, bllokada dhe incidente janë shënuar pranë shkollave të mesme anembanë territorit francez. Mbi 160 institucione arsimore janë mbyllur, ndërsa ditën e enjte u bllokuan gjithashtu hyrjet në rreth 30 kampuse universitare, përfshirë ato në Paris dhe Marsejë.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, ka thirrur një takim urgjent të kabinetit qeveritar, duke u kërkuar ministrave të anulojnë çdo udhëtim të planifikuar. Kabineti i tij ka theksuar se përshkallëzimi i dhunës po pamundëson zhvillimin normal të procesit edukativ dhe po rrezikon sigurinë e nxënësve dhe personelit.
Si masë paraprake, një pjesë e shkollave pritet të kalojnë përkohësisht në mësim në distancë. Ndërkohë, ministri i Arsimit, Édouard Geffray, do të zhvillojë një takim konsultativ me përfaqësuesit e nxënësve.
Ministria e Brendshme e Francës ka konfirmuar se qindra të rinj, kryesisht të grupmoshës 15 deri në 18 vjeç, janë ndaluar nga forcat e rendit qysh prej nisjes së revoltës.
Vetëm gjatë ditës së mërkurë, policia procedoi me ndalimin e 625 personave. Gjatë përleshjeve, më shumë se 80 efektivë policie dhe zjarrfikës, si dhe rreth 120 nxënës e mësues, kanë pësuar lëndime trupore.
Autoritetet kanë angazhuar njësi speciale për menaxhimin e turmave. Pjesë e lëndimeve raportohet të kenë ardhur nga hedhja e sendeve të forta gjatë përplasjeve, por edhe nga mjetet e përdorura nga policia për shpërndarjen e protestuesve. Ndërkaq, Ministria e Brendshme ka hapur një hetim të brendshëm pas ankesave dhe akuzave për përdorim të dhunës së tejskajshme ndaj tre nxënësve.
Nxënësit: Kushtet në shkolla janë të papranueshme
Përtej akteve të dhunës, bërthama e kërkesave të protestuesve mbetet përmirësimi rrënjësor i kushteve në institucionet arsimore. Ata kundërshtojnë oraret rraskapitëse, klasat e tejmbushura, deficitin e mësuesve dhe mungesën e investimeve në infrastrukturë.
Një tjetër brengë e shprehur nga nxënësit ka të bëjë me temperaturat tejet të larta brenda klasave gjatë valëve të të nxehtit, duke kërkuar fonde më të mëdha për sistemet e ventilimit dhe kondicionimit.
Në qytetin e Caen, një 16-vjeçare e quajtur Maelle u shpreh për median se protestat duhet të mbeten në kuadrin e dialogut dhe jo të kalojnë në dhunë. Sipas saj, nxënësit po rebelohen ndaj një pushteti që nuk po investon sa duhet në ndërtesat shkollore dhe në trajtimin financiar të mësuesve.
Ndërsa një nxënës 17-vjeçar nga Strasburgu tregoi se në klasën e tij numërohen 35 nxënës, duke shtuar se ka probleme kronike me tualetet, dëmtime nga rrjedhjet e ujit dhe hapësira të pamjaftueshme në mensë.
Shkolla të dëmtuara dhe transporti ndërpritet
Krah protestave paqësore, në disa qytete situata ka degeneruar në akte vandalizmi dhe shkatërrim të pronës publike.
Në zona të caktuara, protestuesit kanë djegur kontejnerë mbeturinash, kurse autoritetet kanë evidentuar edhe tentativat për zjarrvënie brenda mjediseve të shkollave.
Në një shkollë në qytetin e Nantes, dëmet materiale nga zjarri kanë qenë aq të rënda saqë institucioni do të qëndrojë i kyçur për afro një muaj.
Në Strasburg, qarkullimi i tramvajve u pezullua përkohësisht pasi protestuesit bllokuan shinat përmes vendosjes së barrierave.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: