Botë
Takimi në Strasburg/ Berisha i dorëzon Këshillit të Evropës shqetësimet e opozitës, merr garancinë për Kodin Penal
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Strasburg, ku është takuar me sekretaren e përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Despina Chatzivassiliou. Gjatë këtij takimi, kreu i opozitës ka pasqyruar qëndrimin dhe shqetësimet e forcës politike që drejton lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend, duke u ndalur te nisma për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.
Sipas liderit të demokratëve, nisma e ndërmarrë për ndryshimet në këtë Kod shërben si një mburojë për kryeministrin Edi Rama. Ai argumentoi se propozimet synojnë të kufizojnë vlerën e provave kyçe, përfshirë ato të siguruara përmes pajisjeve elektronike apo burimeve të ngjashme.
Kreu i PD-së paralajmëroi se këto ndryshime rrezikojnë drejtpërdrejt efikasitetin e hetimeve ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë shtetëror.
“Me këtë paketë, përveçse përjashton dënimet me burg në masat nën pesë, nën pesë vite dënim, Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të, të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat të cilat janë të gjetura në vende të ndryshme”, u shpreh Berisha.
Nëpërmjet një videomesazhi të shpërndarë menjëherë pas përfundimit të takimit, Berisha bëri të ditur se ka marrë një konfirmim zyrtar nga Sekretarja e Përgjithshme. Ajo e ka siguruar atë se institucionet e Këshillit të Europës apo ekspertët e tyre nuk kanë gisht në hartimin, sugjerimin apo miratimin e kësaj pakete ligjore.
“Sekretarja e Përgjithshme më siguroi se Këshilli i Europës, ekspertët e tij, nuk e kanë miratuar këtë paketë dhe kjo nuk është një paketë e sugjeruar apo e miratuar apo e hartuar nga specialistët e Këshillit të Europës”, deklaroi ndër të tjera Berisha.
Më tej, ish-kryeministri theksoi se i ka bërë thirrje palës evropiane që projektligji aktual të mos kalojë për votim në formën që është paraqitur, por t'i nënshtrohet domosdoshmërisht filtrit të ekspertizës së Komisionit të Venecias. Ai solli në vëmendje se Shqipëria nuk ka nevojë për zbutje të legjislacionit penal ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit, por për shtrëngim të tij, duke shtuar se paketa në fjalë sjell gjithashtu një amnisti de facto të krimeve zgjedhore.
Në mbyllje të prononcimit të tij, Berisha konfirmoi se bashkëpunimi dhe komunikimi i ngushtë me institucionet e Këshillit të Europës do të vijojë edhe në periudhën në vijim për çdo aspekt të situatës politike në Shqipëri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: