Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

AFA: Agresioni në Banjskë ngjarja më alarmante, Beogradi vazhdon të mbrojë autorët

Redaksia Lajmetereja • 01-10-2026 17:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
AFA: Agresioni në Banjskë ngjarja më alarmante, Beogradi vazhdon të mbrojë autorët
Organizata “Albanians for America” (AFA) ka theksuar se sulmi terrorist në Banjskë vazhdon të renditet ndër incidentet më të rënda të dekadës së fundit, teksa zyrtari i Beogradit vijon të shmangë marrjen e përgjegjësisë dhe refuzon dorëzimin e Milan Radojçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij para organeve të drejtësisë në Kosovë. Këto deklarata u bënë publike në kuadër të reagimit zyrtar lidhur me procedimin e projektligjit “SRBIJA Act” në Senatin amerikan. Në njoftimin e saj, AFA ka shprehur mbështetjen e plotë për këtë nismë legjislative, e cila u paraqit në Senatin e Shteteve të Bashkuara nga senatorët Chuck Grassley dhe Richard Blumenthal, pas konsensusit dydhomësh që ajo sigurojë më parë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Sipas AFA-s, fakti që ky projektligj gëzon mbështetje në të dyja degët e Kongresit dëshmon se Uashingtoni po i kushton një vëmendje në rritje zhvillimeve politike në Serbi, duke adresuar degradimin e normave demokratike, presionin e ushtruar ndaj mediave, kapjen e institucioneve dhe pengimin e proceseve zgjedhore transparente. Për këtë organizatë, është jetike që strategjia amerikane të përfshijë edhe qëndrimin e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht aktet që kanë cënuar drejtpërdrejt paqen dhe qetësinë në rajon. Aty kujtohet se agresioni në Banjskë, për të cilin kryeterroristi Milan Radojçiq ka pranuar publikisht se e ka organizuar dhe udhëhequr, mbetet ndër ngjarjet më shqetësuese të viteve të fundit, pavarësisht se Serbia ende nuk pranon fajësinë dhe refuzon ekstradimin e tij dhe grupit të tij në Kosovë. Po ashtu, dëshmi e qartë se rreziku ndaj sigurisë së Kosovës nuk është vetëm verbal por konkret ishte edhe sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale të vendit në Ibër-Lepenc, i cili kishte për qëllim destabilizimin e shtetit. Prandaj, nga ana e AFA-s vlerësohet se njohja e realitetit të Kosovës shtet i pavarur dhe heqja dorë nga çdo veprim serb që rrezikon integritetin dhe paqen e saj, duhet të përbëjnë shtyllat e një qasjeje afatgjatë amerikane për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ajo çka përbën gjithashtu një alarm serioz është orientimi i hapur i udhëheqjes në Beograd drejt aleancave strategjike me Federatën Ruse dhe Republikën Popullore të Kinës, një trajektore kjo që kërkon vigjilencë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët perëndimorë. Në fund të reagimit të saj, “Albanians for America” ka përcjellë falënderime të sinqerta për senatorët Grassley dhe Blumenthal, si dhe për ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve përkushtimi i të cilëve mbetet i palëkundur në mbrojtjen e vlerave demokratike, zgjedhjeve të lira, lirisë së shprehjes, sundimit të ligjit dhe paqes rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar