Aktuale
Thirrje nga Ali Ahmeti për marshin e sotëm në Prishtinë: E vërteta e UÇK-së nuk mund të tjetërsohet
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t'i bashkohen sot marshit protestues kundër vendimit për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarja është paraparë të nisë në orën 16:00 në kryeqytetin e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i BDI-së ka theksuar rëndësinë e bashkimit mbarëkombëtar në këtë tubim, duke kërkuar një drejtësi të bazuar ekskluzivisht mbi fakte dhe prova reale, e jo mbi dëshmi që ai i ka cilësuar si të prodhuara në zyrat e Beogradit dhe Moskës. Ai ka theksuar se periudha e lavdishme historike nuk mund të vihet nën gjykim.
"Të dashur shqiptarë, të dashura familje të dëshmorëve, të dashur veteranë të luftës, invalidë të luftës dhe të gjitha kategoritë e dala nga lufta, patriotë e bashkatdhetarë, Nesër, në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, ora 16:00, të bashkohemi të gjithë në një protestë paqësore dhe dinjitoze, për të kërkuar drejtësi të mbështetur në fakte dhe prova, e jo në dëshmi të fabrikuara në Beograd e në Moskë. Historia nuk mund të gjykohet. Ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën", ka shkruar Ahmeti, duke riafirmuar karakterin çlirimtar dhe të pastër të luftës së UÇK-së.
Në mesazhin e tij drejtuar opinionit publik, ai ka vlerësuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbën njërën nga shtyllat më të larta të identitetit dhe historisë bashkëkohore të kombit shqiptar, duke qenë mishërim i lirisë dhe sakrificës.
"Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga vlerat më sublime të shqiptarëve në historinë tonë më të re. Ajo është pjesë e sakrificës, lirisë dhe dinjitetit të një populli. Obligim kombëtar i secilit prej nesh është ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta kultivojmë këtë vlerë, si sytë e ballit. Prandaj, nesër të jemi të gjithë bashkë në Prishtinë. Për drejtësi. Për të vërtetën. Për dinjitetin. Për lirinë", ka përfunduar thirrjen e tij lideri i BDI-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: