Botë
Afrimi i madh mes Brukselit dhe Otavës: Bashkimi Evropian dhe Kanadaja drejt një aleance strategjike
Reklamë e Sponsorizuar
Bashkimi Evropian dhe Kanadaja janë përgatitur që gjatë muajit të ardhshëm të shpallin një partneritet të ri gjithëpërfshirës strategjik. Kjo lëvizje vjen në një periudhë kur të dyja palët po gjenden përballë transformimeve të thella gjeopolitike dhe ndikimeve të luftës tregtare të iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Zyrtarizimi i këtij bashkëpunimi është parashikuar të bëhet në samitin e posaçëm BE-Kanadaja, i cili do të hapë dyert më 29 tetor në Montreal. Sipas një projektdokumenti të përbashkët, fushëveprimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë mjaft i gjerë, duke përfshirë sektorë kyç si tregtia, energjia, mbrojtja, teknologjia, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.
Në materialin zyrtar theksohet se bota po ndeshet me “sfida të paprecedenta gjeopolitike”, të shoqëruara edhe nga vështirësi në sferën e tregtisë, energjisë, teknologjisë, klimës dhe burimeve natyrore.
Shtetet evropiane dhe Kanadaja kanë shtuar ndjeshëm përpjekjet për ngushtimin e lidhjeve të tyre strategjike, ndërkohë që po menaxhojnë pasojat që po sjellin politikat tregtare të ndjekura nga administrata e Trumpit.
Gjatë këtij muaji, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, hodhi propozimin që Kanadaja të ftohet për t’u bërë anëtare e asociuar e Bashkimit Evropian. Ky hap u shoqërua menjëherë me një reagim dhe kërcënim nga Trump lidhur me vendosjen e tarifave doganore.
“Kanadaja dhe BE-ja, me aksesin tonë të pakrahasueshëm tregtar, vlerat e përbashkëta dhe fuqitë ekonomike plotësuese, mund të ndërtojnë një marrëdhënie më të thellë dhe më të integruar”, shkruhet ndër të tjera në projektdokument.
Në kuadër të këtyre akteve të reja, Brukseli dhe Otava synojnë të përshpejtojnë financimet në projekte që lidhen me mineralet kritike, të forcojnë qarqet e furnizimit dhe të garantojnë një siguri më të lartë të qarkullimit të mallrave.
Gjithashtu, palët kanë në plan ngritjen e rezervave të burimeve thelbësore, me synimin për të zbutur “luhatjet e tregut dhe ndikimet gjeopolitike”.
“Ne do të harmonizojmë strategjitë dhe standardet, do të lidhim industritë dhe do t’i përqendrojmë ambiciet tona në sektorët që sjellin përfitimet më të mëdha për popujt tanë. Kjo përfshin zhvillimin e energjisë së besueshme dhe me emetime të ulëta karboni, për të cilën pjesa më e madhe e botës ka nevojë, nga gazi natyror i lëngshëm te energjia hidroelektrike, diellore, e erës dhe ajo bërthamore”, sqarohet më tej në dokument.
Një tjetër pakt i rëndësishëm pritet të finalizohet në fushën e emergjencave civile dhe luftës kundër zjarreve. Otava dhe Brukseli do të bëjnë publike blerjen e përbashkët të 50 avionëve “De Havilland” për shuarjen e flakëve nga ajri. Këto mjete fluturuese parashikohen të jenë funksionale për përdorim si në Kanada ashtu edhe në Evropë duke filluar nga viti 2030.
Këtë vizion, Von der Leyen e kishte paralajmëruar edhe më parë gjatë fjalimit të saj për Gjendjen e Unionit, mbajtur më 15 shtator.
“Po bashkojmë forcat vullnetarisht… Do të krijojmë një aleancë teknologjike. Do të integrojmë bazat industriale të mbrojtjes. Do ta bëjmë Arktikun një projekt të përbashkët kryesor. Do të punojmë për energjinë, mineralet kritike dhe bateritë. Për inteligjencën artificiale, teknologjinë kuantike, sigurinë kibernetike dhe atë ekonomike”, pat deklaruar ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: