Sport
Trajneri i Izraelit para duelit me Dardanët: Kosova është një ndër përfaqësueset më të forta të grupit
Reklamë e Sponsorizuar
Pasi regjistroi një start të vështirë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, me një humbje fillore ndaj Austrisë dhe një disfatë të rëndë përballë Irlandës, Përfaqësuesja e Izraelit është e gatshme për sfidën e radhës. Të enjten në Hungari, izraelitët do të matin forcat me Kosovën, duke synuar triumfin e parë në këtë garë.
Dueli do të nisë në orën 20:45, ndërsa në prag të kësaj përballjeje, selektori i Izraelit, Ran Ben Shimon, ka dalë para mediave në konferencën zyrtare. Ai ka diskutuar rreth rezultatit negativ të ndeshjes së kaluar, presionit të madh mediatik dhe opsionet për ndryshime në skuadër.
Duke u ndalur te ndeshja e fundit dhe si e ka kaluar atë zhgënjim, Ben Shimon theksoi se grupi është përqendruar te tejkalimi i gabimeve.
“Jam rikuperuar, nuk kishte zgjidhje tjetër. Gjatë këtyre dy ditëve u fokusuam te gjërat që nuk shkuan mirë dhe u përpoqëm t’i korrigjonim problemet për ta ndihmuar kombëtaren menjëherë. Kryesisht u përpoqëm të kuptonim se çfarë nuk bëmë mirë dhe ku gabuam, të gjithë ne, përfshirë edhe stafin teknik, në mënyrë që të mund të korrigjohemi dhe të përmirësohemi në ndeshjet e ardhshme”, deklaroi ai.
Tekniku izraelit shtoi se trysnia e madhe publike ndikoi negativisht te paraqitja e skuadrës në takimin e kaluar.
“Mendoj se Eli tashmë ka folur për këtë. Unë jam i mendimit se mbi ne janë vendosur pritshmëri shumë të mëdha. E pranoj këtë, është pjesë e jetës, por duhet të jemi të drejtë. Pritshmëritë ndaj ndeshjes me Irlandën ishin shumë të mëdha dhe ato pak na mbytën. Ne u mbytëm. Nuk është justifikim, por thjesht kjo është ajo që ndodhi”, u shpreh trajneri.
Sa i përket mundësisë së ndryshimeve rrënjësore në formacion përballë Përfaqësueses së Kosovës, ai ka mohuar se do të ketë ndonjë ndryshim drastik.
“Nuk e kam këtë fjalë, revolucion. Në përzgjedhjen e lojtarëve ka shumë konsiderata, përfshirë edhe lodhjen. Në kombëtare nuk ekziston koncepti i përjashtimit. Nuk përjashtohet askush. Çdo lojtar që është në grumbullim mund të luajë nga minuta e parë dhe ai që mendoj se duhet të luajë, do të jetë në formacion”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Ben Shimon ka thurur elozhe për ekipin kosovar, duke e vlerësuar lart potencialin e tyre dhe duke shpjeguar fokusin e ditëve të fundit në stërvitje.
“Në një apo dy ditët e para u fokusuam te vetja, se si të ngrihemi pas kësaj dhe çfarë nuk bëmë mirë, të gjithë ne, përfshirë edhe stafin. Në dy ditët e fundit u fokusuam te Kosova dhe te përparësitë e saj”, përfundoi Ben Shimon.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: