Sport
E ardhmja e Milot Rashicës në udhëkryq: Samsunspori shfaq interesim për yllin kosovar
Reklamë e Sponsorizuar
Milot Rashica mund t’i japë fund aventurës së tij te Besiktasi gjatë dritares së transferimeve të janarit. Ylli i Kombëtares së Kosovës ka rënë në radarin e një tjetër klubi të njohur turk, Samsunsporit, i cili po kërkon të shtojë forcat në repartin e avancuar për pjesën e mbetur të sezonit.
Pozita e 30-vjeçarit në Stamboll nuk duket më e qëndrueshme, ndaj drejtuesit e Besiktasit janë duke analizuar seriozisht mundësinë e një ndarjeje të mundshme këtë dimër. Sipas informacioneve të fundit, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për shitjen e kartonit të tij, klubi nuk përjashton as opsionin e ndërprerjes së kontratës me marrëveshje.
Kontrata aktuale e Rashicës me gjigantin turk është e vlefshme deri në verën e vitit të ardhshëm, fakt ky që e bën janarin periudhën kritike për të vendosur për fatin e futbollistit. Besiktasi kërkon të evitojë largimin e tij me parametra zero në fund të sezonit.
Nga ana tjetër, presidenti i Samsunsporit, Yuksel Yildirım, ka zbuluar strategjinë e klubit për tregun e transferimeve, duke konfirmuar synimin për të afruar të paktën katër lojtarë të rinj. Për t'i hapur rrugë këtyre lëvizjeve dhe për të respektuar hapësirat në skuadër, kreu i klubit ka paralajmëruar gjithashtu largimin e dy ose tre futbollistëve të huaj gjatë muajit janar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: