Sport
Transportuan 136 kg drogë dhe shkaktuan aksident gjatë arratisjes: Gjykata vendos paraburgimin për tre të dyshuarit
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre personave, A.N. (shtetas i Maqedonisë së Veriut), si dhe T.E. dhe A.C. (shtetas të Kosovës), të cilët u ndaluan nën dyshimin për posedim dhe transportim të paligjshëm të 136 kilogramëve marihuanë.
Vendimi për këtë masë sigurie erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në vijim të një operacioni policor të zhvilluar më 27 nëntor. Grupi po tentonte të kalonte sasinë e konsiderueshme të narkotikëve nga territori i Kosovës drejt Maqedonisë së Veriut.
Sipas hetimeve, grupi kishte një rol të ndarë në këtë operacion kriminal. I dyshuari J.B., në rolin e vëzhguesit me një veturë „VW Arteon“ të kuqe, lëvizte përpara për të sinjalizuar për praninë e mundshme të patrullave policore. Ndërkohë, A.N. dhe A.C. me një „VW Tiguan“ të bardhë, shoqëronin automjetin „Audi A6“ të zi, të cilin e drejtonte T.E. Ky i fundit transportonte marihuanën, të cilën dyshohet se e kishte siguruar nga një person i identifikuar si A.Sh., me synim dërgimin e saj në Han të Elezit.
Drama u zhvillua rreth orës 09:50, kur njësitë policore identifikuan automjetet e dyshuara në afërsi të autostradës. Ndërsa mjeti „VW Tiguan“ u ndalua pas urdhrit të policisë, drejtuesi i „Audi A6“, T.E., refuzoi të ndalonte duke tentuar t'i shmangej kontrollit. Në përpjekje e sipër për të ikur, ai shkaktoi një aksident trafiku afër urës së madhe në Ferizaj, duke lënë të lënduar dy qytetarë të tjerë.
I pandehuri vazhdoi arratisjen në drejtim të Kaçanikut, por në afërsi të lokalitetit “M”, humbi kontrollin mbi automjetin duke dalë nga rruga, moment ky që çoi në ndalimin e tij përfundimtar nga autoritetet.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: