Sport
Kieli shkëlqen në fraksionin e dytë dhe arkëton fitoren e madhe, minuta për kosovarin Leon Parduzi
Reklamë e Sponsorizuar
Talenti kosovar, Leon Parduzi, ka regjistruar një tjetër paraqitje në futbollin gjerman, duke u aktivizuar nga minuta e 79-të në triumfin e thellë 3:0 të Holstein Kielit ndaj Kaiserslauternit, duel ky i vlefshëm për xhiron e 13-të në Bundesliga 2.
Parduzi u kyç në 11 minutat e fundit të sfidës, duke lënë përshtypje pozitive në këtë fitore jetike për skuadrën e tij. Ky sukses shënoi triumfin e dytë sezonal për Holstein Kielin, i cili me këto tri pikë të çmuara ka dalë, të paktën përkohësisht, nga zona e rrezikut dhe pozita e fundit në renditje.
Në anën tjetër, Kaiserslauterni mbetet në vendin e pestë me 22 pikë, ndërsa Holstein Kieli qendron në kuotën e 11 pikëve, në vendin e 17-të. Ndonëse në hartë këto dy qytete ndahen nga më shumë se 680 kilometra, diferenca në tabelë ishte gjithashtu e madhe, pasi vendasit po vuanin në fund të tabelës, kurse miqtë synonin kreun.
Sipas prestigjozes gjermane “Kicker”, pjesa e parë ishte e ekuilibruar, por dinamika ndryshoi rrënjësisht pas pushimit. Vendasit zhvilluan një 45-minutësh të dytë fantastik, duke kaluar në epërsi në minutën e 54-t përmes penalltisë.
Pas një gjuajtjeje të gjatë nga auti e cila erdhi nga Tolkin, Yardimci ndërhyri gabimisht ndaj Madsenit brenda zonës. Përgjegjësinë e ekzekutimit e mori Harres, i cili nuk gaboi, duke e ndalur topin në këndin e sipërm të portës me një goditje të fuqishme.
I transformuar tërësisht pas nisjes së pjesës së dytë, Holstein Kieli ushtroi presion të vazhdueshëm. Kaiserslauterni mund t'i falënderohet vetëm portierit Krahl që mbeti në lojë, pasi ky i fundit priti një duel kokë më kokë ndaj de Regt në minutën e 56-të, si dhe ndali penalltinë e dytë të ekzekutuar nga Harresi në minutën e 62-të. Rasti i dytë nga pika e bardhë erdhi pas një ndërhyrjeje të Kanatés ndaj Meffertit.
Pavarësisht kësaj, vendasit nuk u ndalën përballë njërës prej prapavijave më të forta në kampionat, e cila deri atëherë kishte pësuar vetëm dhjetë gola. Në minutën e 64-t, Rosenboom dyfishoi shifrat me kokë pas një harkimi nga këndi të Tolkinit, të cilin Elvedi nuk arriti ta largonte si duhet.
Vetëm dy minuta më vonë, Therkelsen vulosi rezultatin përfundimtar. Sulmuesi norvegjez shfrytëzoi në maksimum një asistim të Harresit dhe dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë në këndin e majtë.
Me këtë paraqitje mbresëlënëse në pjesën e dytë, Holstein Kieli ka arkëtuar tri pikë meritore dhe mjaft të rëndësishme për ecurinë e tyre në kampionat.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: