Aktuale
Mitrovica nën dy realitete: Festë madhështore në jug, heshtje totale në veri për 28 Nëntorin
Reklamë e Sponsorizuar
Dita e Flamurit ka përçuar mesazhe krejtësisht të ndryshme në qytetin e Mitrovicës. Përderisa pjesa jugore është përfshirë nga një atmosferë festive, ku rrugët janë stolisur me flamuj kuq e zi dhe qytetarët kanë shprehur hapur emocionet e tyre, situata në Mitrovicën e Veriut, përfshirë Lagjen e Boshnjakëve, ka mbetur e qetë dhe pa asnjë shenjë të shënimit të kësaj date historike.
Në jug të qytetit, qytetarët kanë reflektuar krenari për sakrificat e brezave ndër vite, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe traditave kombëtare. Për ta, 28 Nëntori mbetet një gurthemel i historisë që meriton nderim të veçantë.
Ish-zëvendëskomandanti i Njësisë Speciale në Zonën e Shalës së Bajgorës, Sabit Haziri, ka vlerësuar peshën e kësaj dite si një ndërthurje mes krenarisë dhe dhimbjes për historinë e lavdishme. Ai ka bërë thirrje për ruajtjen e plisit si një simbol i çmuar i trashëgimisë sonë.
“Kjo festë mbart sakrifica të pafundme. Plisi është simbolika jonë kombëtare që rrezikon të zbehet, prandaj kemi obligim moral t’ua përcjellim brezave të rinj. E kanë bartur të parët tanë dhe ne duhet ta mbajmë gjallë këtë traditë”, ka deklaruar Haziri.
Sokol Peci, një qytetar që po shijonte atmosferën në qytet, ka theksuar domosdoshmërinë e kremtimit të kësaj dite. “Jemi një komb dhe kjo festë na bashkon. Veprimtaria e Isa Boletinit është frymëzim për të gjithë ne, ndaj festimi është më se i merituar”, është shprehur Peci.
Për të ndarë gëzimin e kësaj dite në Mitrovicë ka ardhur edhe presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë në Shqipëri, Skender Doda. Ai ka vënë në pah rolin kyç të Kosovës dhe figurës së Isa Boletinit në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
“Sot është një ditë e bekuar. Kam ardhur nga Tirana posaçërisht për të festuar me vëllezërit e mi në Mitrovicë. Pavarësia e Shqipërisë është arritur edhe falë kontributit të madh të Isa Boletinit, i cili ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit. Urime të gjithëve kjo festë e madhe”, ka thënë Doda.
Shqipëria sot shënon 114-vjetorin e pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shënuar kështu një nga ngjarjet më të rëndësishme në memorien kolektive të kombit shqiptar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: