Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë: Takim i rëndësishëm me drejtorin e Europolit, Jürgen Ebner

Redaksia Lajmetereja • 30-09-2026 14:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë: Takim i rëndësishëm me drejtorin e Europolit, Jürgen Ebner
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, po merr pjesë aktualisht në punimet e Konventës Evropiane të Shefave të Policisë (EPCC). Në kuadër të këtij aktiviteti, para nisjes zyrtare të konferencës, kryekomisari Hita u prit në një takim të veçantë nga Drejtori Ekzekutiv në detyrë i Europolit, Jürgen Ebner. Në këtë takim bilateral mori pjesë gjithashtu edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës, Artur Kuko. Krerët e pranishëm diskutuan mbi ecurinë e bashkëpunimit, ndërsa zyrtari i lartë i Europolit, Ebner, i uroi detyrën e ja re kreut të Policisë shqiptare. Ai vlerësoi lart angazhimin dhe vendosmërinë e treguar gjatë muajve të fundit për intensifikimin e partneritetit me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Ebner e cilësoi Policinë e Shtetit si një aleat kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë bisedës, ai vuri në dukje kontributin e Zyrës Ndërlidhëse të Shqipërisë pranë Europolit, duke përmendur rritjen e ndjeshme të shkëmbimit të të dhënave operative, hetimeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit efikas përmes mekanizmave të Europolit dhe EMPACT. Sipas drejtorit të Europolit, këto arritje janë fryt i profesionalizmit dhe rritjes së besueshmërisë së Policisë së Shtetit, e cila tashmë pozicionohet në të njëjta standarde bashkëpunimi me homologët e saj evropianë. Nga ana e tij, drejtori Hita shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe për besimin e vazhdueshëm që Europoli ka dëshmuar ndaj strukturave policore shqiptare. Ai theksoi se mbështetja e kësaj agjencie, përmes ekspertizës së avancuar, mbështetjes logjistike dhe operacioneve të përbashkëta, mbetet element jetik për goditjen pa kompromis të krimit të organizuar. “Dua t’ju siguroj se vizioni im në drejtimin e Policisë së Shtetit është i qartë dhe i mirorientuar: bashkëpunim i ngushtë, pa barriera, me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me policitë partnere, duke kontribuuar denjësisht për sigurinë evropiane”, u shpreh Hita. Ai shtoi se sfida e krimit modern kërkon qasje të reja, pasi teknologjia, krahas dobisë për shoqërinë, po përdoret nga rrjetet kriminale që po globalizohen dita-ditës. “Ndaj, është shumë i rëndësishëm forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke vepruar me partnerët, pa barriera”, shtoi ai. “Kjo është mënyra e duhur për të pasur sukses në misionin tonë. Ju falënderoj për mikpritjen dhe uroj punime të suksesshme të Konventës Evropiane të Shefave të Policisë, një konventë me rëndësi shumëdimensionale në interes të sundimit të ligjit”, përfundoi deklaratën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar