Sport
Festë dhe garë: Si po e festojnë 28 Nëntorin federatat sportive në vend
Reklamë e Sponsorizuar
Dita e Flamurit, 28 Nëntori, vazhdon të mbetet ndër gurët më të rëndësishëm të themelit në historinë e kombit shqiptar. Përtej përmasës ceremoniale dhe kulturore, kjo festë e madhe këtë vit merr ngjyra sportive, duke u shndërruar në një tribunë përkujtimi dhe bashkimi.
Në prag të kësaj dite historike, disa shtëpi të sportit në Kosovë kanë ndërmarrë nisma të ndryshme, duke e vënë sportin në shërbim të nderimit të së kaluarës, simboleve kombëtare dhe sakrificave të bëra ndër breza për liri.
Kjo traditë festive tashmë është rrënjosur thellë në kalendarin vjetor të disa federatave, të cilat përmes aktiviteteve garuese synojnë t'ua përcjellin gjeneratave të reja kuptimin e thellë historik të 28 Nëntorit.
Në sportin e karatesë, një organizim i tillë shënon mbi tri dekada ekzistence. Nazmi Gashi, sekretar i Federatës së Karatesë së Kosovës, shpjegon se kampionati mbarëkombëtar, i cili mbledh bashkë sportistë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, mbahet rregullisht që nga viti 1995 dhe tejkalon kufijtë e një gare të zakonshme sportive.
“Federata e Karatesë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Karatesë edhe klubet që janë në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në Preshevë, Bujanovc, e kemi garë të përvitshme, do të thotë ky është diku prej vitit '95 ne e bëjmë kampionatin mbarëkombëtar të karatesë, ku të gjithë sportistët nga këto treva shqiptare dhe diaspora marrin pjesë në një kampionat të fundvitit dhe që gjithmonë është për kampionatin mbarëkombëtar të karatesë, mbahet në datat e shënuara siç është 28 nëntori”, u shpreh Gashi.
Në të njëjtën linjë festive lëviz edhe Federata e Pingpongut e Kosovës, e cila ka përgatitur aktivitete tradicionale për të përfshirë dashamirës të këtij sporti të të gjitha moshave.
Nehat Çitaku, kryetar i kësaj federate, bën të ditur se ngjarjet do të shtrihen përgjatë dy ditëve të fundjavës, duke garantuar pjesëmarrje masive nga fëmijët e deri te veteranët.
“Po, sigurisht se Federata e Pingpongut tradicionalisht organizon aktivitet për nder të Ditës së Flamurit. Edhe sivjet gjatë dy ditëve të fundjavës, të shtunën dhe të dielën, do të mbahen aktivitete nëpër shumë grup-mosha. Do të organizohen gara individuale për të rritur, femra dhe meshkuj, për grup-moshën U15, gjithashtu femra dhe meshkuj, U19, femra dhe meshkuj, gjithashtu edhe gara për veteranë apo masters për të gjitha grup-moshat duke filluar nga 40 deri në 50, 50-60, 60-65, 65-70 edhe mbi 70 vjeç. Kështu që është një garë, e cila i përfaqëson gati shumicën e grup-moshave në të cilat Federata e Pingpongut organizon garat”, theksoi Çitaku.
Kësaj fushate festive i është bashkuar edhe padeli, sporti më i ri në vend. Qendra “Padel Zone” në Prishtinë, në bashkërendim me Federatën e Padelit të Kosovës, do të jetë nikoqire e një turneu ku pritet të ngrenë peshë garën lojtarë nga pesë deri në gjashtë shtete të ndryshme.
Sipas sekretarit të kësaj federate, Jusuf Kika, ky organizim synon të bashkojë sportistët ndërkombëtarë në festë, ndërsa sukseset e arritura do të vlejnë edhe për pikët në renditjen zyrtare federative.
“Në kuadër të festës së Ditës së Flamurit më 28 Nëntor, Qendra e Padelit ‘Padel Zone’ në Prishtinë organizon një event për këtë ditë të veçantë dhe historike, ku edhe federata jonë është bashkangjitur kësaj nisme, në mënyrë që edhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë event - turnament, do të marrin edhe pikë në kuadër të renditjes zyrtare që ka federata. Mirëpo, gjithsesi jemi bashkuar kësaj iniciative, në mënyrë që të ftojmë lojtarë”, u shpreh Kika.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: