Kronikë
Skemë zhvatjeje në Prizren: Jepnin para me 20% kamatë mujore, kapen në flagrancë nga policia pas pagesës prej 15 mijë eurosh
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit V.H., i cili ngarkohet me veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Po ashtu, masë paraburgimi është kërkuar edhe për të pandehurin e dytë, D.E., i dyshuar për veprën penale “Fajdeja në ndihmë”.
Sipas dosjes hetimore, gjatë periudhës nga viti 2025 e deri më 29 shtator 2026, në qytetin e Prizrenit, i pandehuri V.H. dyshohet se ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe personale të viktimës. Ai i kishte dhënë shuma të ndryshme parash me kamata mujore jashtëzakonisht të larta, duke përfituar kështu pasuri të pajustifikueshme dhe joproporcionale.
Në bazë të hetimeve, viktima ishte ngarkuar me një normë interesi mujor prej 20%. Deri në këtë fazë, vetëm për llogari të kamatave dhe vonesave, pa përfshirë borxhin kryesor, dëmtuari kishte derdhur një shifër marramendëse prej 56,200 eurosh.
Operacioni i arrestimit u kurorëzua me sukses më 29 shtator 2026. Pas një takimi që të dyshuarit patën me viktimën brenda një lokali në fshatin Krushë e Madhe, ata hynë në një veturë, ku dëmtuari i dorëzoi të dyshuarit shumën prej 15,000 eurosh në emër të kamatës. Menjëherë pas këtij veprimi, forcat policore ndërhynë duke i arrestuar të dy personat në flagrancë.
Prokuroria thotë se i pandehuri V.H., në vazhdimësi ka ushtruar trysni dhe kanosje të hapura ndaj viktimës, duke i kërkuar me forcë shlyerjen e detyrimeve dhe kamatave. Këto veprime i kishin shkaktuar të dëmtuarit gjendje të rëndë ankthi, frike, pasigurie dhe shqetësimi për jetën e tij.
Ndërkohë, roli i të pandehurit D.E. konsistonte në lehtësimin e skemës së fajdesë. Ai dyshohet se ka pranuar pagesa të kamatave në emër të tij – të dërguara nga viktima përmes një institucioni mikrofinanciar – të cilat më pas ia dorëzonte bashkëpunëtorit të tij, V.H.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të pandehurit kryesor V.H., autoritetet e rendit zbuluan dhe sekuestruan një armë zjarri (pushkë me dylbi), për të cilën nuk ekzistonte asnjë leje valide nga institucionet kompetente.
Në fund, Prokuroria Themelore në Prizren rikonfirmon vendosmërinë e saj për të luftuar dukuritë e paligjshme që cënojnë pronën, kanosjet dhe çdo formë të përfitimit të kundërligjshëm, duke paralajmëruar vazhdimin e hetimeve deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: