Politikë
Dritë jeshile për 60 milionë eurot: Vjen marrëveshja për Lojërat Mesdhetare
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni për Buxhet ka votuar pro me tetë vota Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim. Kjo hua prej 60 milionë eurosh do t'i dedikohet realizimit të projektit për Lojërat Mesdhetare XXI në Kosovë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë paraqitjes së tij para deputetëve në komision, ka shpjeguar se nisma parasheh ndërhyrje rrënjësore për renovimin dhe zgjerimin e infrastrukturës në kampusin e studentëve të Universitetit të Prishtinës, si dhe përmirësimin apo ngritjen e objekteve të reja sportive në institucione të ndryshme arsimore.
Sipas shpjegimeve të dhëna nga ministri, gjatë periudhës sa do të mbahen Lojërat Mesdhetare, hapësira e kampusit studentor do të shndërrohet përkohësisht në fshat të atletëve. Ndërkaq, objektet sportive shkollore janë parashikuar të vihen në shërbim si qendra stërvitore në zonat përreth.
“Projekti synon të renovojë dhe të zgjerojë infrastrukturën e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, pra tek konviktet, si dhe të renovojë dhe ndërtojë objekte sportive në institucionet të ndryshme arsimore përreth hapësirës, pra tek konviktet. Projekti parashikohet t'u sjellë përfitime studentëve, duke mbështetur njëkohësisht organizimin e Lojërat Mesdhetare, të cilat gjatë zhvillimit të lojërave, kampusi i studentëve do të shërbejë përkohësisht si fshati i atletëve. Ndërsa objektet sportive të shkollave, pra, do të përdoren si qendra stërvitore në hapësirat përreth”, ka deklaruar Murati.
Murati ka vënë në dukje se ky angazhim financiar nuk do të shërbejë vetëm për ngjarjen sportive, por ka për qëllim ndërtimin e një trashëgimie afatgjatë për të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe studentët.
“Përtej Lojërave Mesdhetare, projekti është i dizajnuar për të vendosur një trashëgimi të qëndrueshme për studentët e Universitetit të Prishtinës, si dhe banorët e qytetit të Prishtinës, pra që shfrytëzojnë edhe hapësirat përreth, por edhe institucionet arsimore në të cilat, pra, do të ketë renovim apo ndërtim të qendrave sportive. Në këtë kuptim, projekti pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për më shumë se 40 mijë studentë, duke ofruar infrastrukturë moderne, të qasshme, si dhe me cilësi të lartë për arsimin, por edhe sportin. Në nivelin institucional, projekti do të kontribuojë në forcimin e sektorit të sportit, duke promovuar pjesëmarrjen më të gjatë në aktivitete sportive, si dhe do të përmirësojë kushtet e jetesës së studentëve me ndikime pozitive në performancën akademike të tyre”, është shprehur ai.
Lidhur me aspektin financiar, kreu i Thesarit dhe Financave ka bërë të ditur se krahas kredisë bazë prej 60 milionë eurosh, ekziston mundësia reale e sigurimit edhe të një granti shtesë investiv prej 10 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), gjë që do ta ngrejë vlerën e përgjithshme të investimeve në 70 milionë euro.
“Sa i përket strukturës së financimit, vlera e kredisë së propozuar është 60 milionë euro, me mundësi të fitimit edhe të një granti investiv nga WBIF me vlerë prej 10 milionë eurove shtesë. Pra, në tërësi, 70 milionë euro parashikohet që të jetë investimi i tërësishëm. Afati i maturimit të kredisë është 12 vjet, duke përfshirë periudhën grejs prej pesë vjetësh. Ndërkaq, sa i përket normës së interesit, Ministria e Financave ka mundësinë të zgjedhë ndërmjet asaj fikse dhe asaj variabile në momentin kur bëhet disbursimi. Norma variabile apo e ndryshueshme bazohet në Euribor gjashtëmujor, plus marzhën prej 1.65 pikë përqindjeje. Ndërsa norma fikse i referohet atij indeksit përkatës, konform dispozitave të marrëveshjes së kredisë në momentin e disbursimit. Tarifa e zotimit ndërkaq është 0.5 për qind në vit. Gjithashtu, aplikohet edhe tarifa e njëhershme e menaxhimit”, ka përfunduar Murati.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: