Botë
Evropa ndjek shembullin amerikan: Gjermania dhe Austria kërkojnë kalimin e TikTok në pronësi kontinentale
Reklamë e Sponsorizuar
Pas lëvizjeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe kontinenti evropian po shfaq shqetësime serioze lidhur me operimet e rrjetit social TikTok. Gjermania dhe Austria kanë hedhur një propozim zyrtar për transferimin e degëve evropiane të kësaj platforme kineze në pronësi evropiane, duke vlerësuar se rregulloret aktuale nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për sigurinë e të dhënave dhe mbikëqyrjen e algoritmeve.
Kjo nismë ka marrë formë pas një takimi të zhvilluar në Vjenë midis ministrit gjerman të Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretarit austriak të Shtetit për Digjitalizimin, Alexander Pröll. Qëllimi i dy shteteve është të sigurojnë kontroll të plotë mbi kapitalin, infrastrukturën teknologjike, algoritmet e rekomandimit dhe aksesin në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve.
Me një bazë prej 200 milionë përdoruesish në Evropë, TikTok është kthyer në një faktor kyç për formimin e opinionit publik, veçanërisht tek brezi i ri, ku rreth një e treta e popullsisë në Gjermani dhe Austri janë përdorues aktivë. Të dyja vendet pritet të kërkojnë mbështetjen e shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian gjatë mbledhjes së Këshillit të Telekomunikacionit, që do të mbahet më 2 dhjetor në Bruksel.
Presioni ndaj platformës është shtuar që prej 6 nëntorit, kur Komisioni Evropian konstatoi paraprakisht se TikTok ka shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), për shkak të mënyrës sesi algoritmet e tij ndikojnë në ekspozimin e përdoruesve ndaj përmbajtjeve të dëmshme.
Duke iu referuar modelit amerikan, ku kompania ByteDance u detyrua të ndryshojë strukturën e pronësisë për operacionet në SHBA në fillim të këtij viti për të shmangur ndalimin, Gjermania dhe Austria besojnë se një qasje e ngjashme do të forconte sovranitetin digjital të Evropës.
Nga ana tjetër, TikTok ka reaguar ashpër ndaj këtyre pretendimeve, duke i cilësuar ato si shpërfillje ndaj kuadrit rregullator ekzistues dhe investimeve të kompanisë në programin për sigurinë e të dhënave, të njohur si 'Project Clover', me vlerë 12 miliardë euro. Kompania insiston se operacionet e saj në Evropë menaxhohen nga subjekte të regjistruara në Irlandë dhe Britaninë e Madhe, duke shtuar se shumica e aksioneve të ByteDance zotërohen nga investitorë ndërkombëtarë dhe jo nga qeveria kineze.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: