Sport
Basketbolli kroat rikthehet në skenën botërore: Pas 13 vitesh, Kroacia kualifikohet për në Katar 2027
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja e Kroacisë në basketboll ka vulosur kualifikimin e saj për në Kampionatin Botëror 2027, që do të zhvillohet në Katar. Skuadra e udhëhequr nga përzgjedhësi Tomisllav Mijatoviq arriti një fitore vendimtare ndaj Polonisë në Gliwice, me rezultatin final 80:69.
Ky sukses i kroatëve u konfirmua zyrtarisht edhe falë rezultatit të ndeshjes tjetër, ku Gjermania triumfoi ndaj Letonisë me rezultat 78:76. Ky kombinim rezultatesh bëri që Kroacia të sigurojë biletën për në Botëror, tri xhiro para mbylljes së ciklit kualifikues.
Një paraqitje e fortë në mbrojtje ishte arma kryesore e kroatëve, ndërsa në fazën ofensive u dallua Danko Brankoviq me 17 pikë dhe tetë kërcime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Luka Bozhiq me 13 pikë, Jaleen Smith me 12 pikë, si dhe kapiteni Dario Shariq, i cili regjistroi një “double-double” me 11 pikë, 12 kërcime dhe gjashtë asistime. Nga ana tjetër, te Polonia më efikasët ishin Jerrick Harding me 19 pikë dhe Mateusz Ponitka me 18 sosh.
Aktualisht, në Grupin K, Kroacia mban kreun me një bilanc mbresëlënës prej tetë fitoresh dhe vetëm një humbjeje (8-1), duke ndarë majën me Gjermaninë, ndërsa Polonia renditet e treta me 7-2. Këto tri përfaqësuese kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në turneun botëror, ndërsa Letonia (4-5), Izraeli (3-6) dhe Holanda (2-7) kanë humbur gjasat për kualifikim.
Me këtë arritje, Kroacia i jep fund një pritjeje të gjatë, duke u rikthyer në skenën e Kampionatit Botëror për herë të parë që nga viti 2014.
Sfidën e radhës, Kroacia do ta zhvillojë të hënën, më 30 nëntor, në orën 20:00, ku në palestrën “KC Drazhen Petroviq” në Zagreb do të përballet me Holandën.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: