Sport
Eksperti i sigurisë: Veprimet e fundit të BIA-s janë luftë hibride dhe përpjekje për destabilizim të Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Operacionet e fundit të ndërmarra nga Shërbimi Sekret i Serbisë (BIA) po vlerësohen si pjesë e një strategjie të luftës hibride dhe fushatave dezinformuese që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Mbrëmë, gjatë një aksioni të koordinuar mes BIA-s, Prokurorisë së Lartë Publike në Jagodinë dhe njësive policore të Vranjës e Jagodinës, u prangosën dy persona. Në Vranjë u arrestua D.C. (46) nga fshati Shilovë i komunës së Gjilanit, kurse në Jagodinë u ndalua N.P. (50-vjeçe).
Të dyshuarit akuzohen se kanë ndarë të dhëna konfidenciale lidhur me lëvizjet dhe veprimtarinë e BIA-s me Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH) të Shqipërisë, Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, si dhe me sektorin e inteligjencës brenda Policisë së Kosovës.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka ngritur alarmin se strukturat vendase të sigurisë duhet të rrisin vigjilencën, sidomos tani në prag të fillimit të fushatës zgjedhore në Serbi.
Sipas tij, situata aktuale mund të shërbejë si terren për skenarë destabilizues që synojnë drejtpërdrejt integritetin dhe sigurinë nacionale të Kosovës përmes metodave të luftës hibride.
“Institucionet tona të sigurisë duhet të jenë të kujdesshme dhe më të vëmendshme, sepse tanimë në këtë fazë, para fushatës zgjedhore në Serbi, mund të kemi veprime të ndryshme të tentativave për ta destabilizuar në formën e një kampanje të dezinformimit dhe luftës hibride në drejtim të sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës nga strukturat e Serbisë”, u shpreh Shala.
Po ashtu, ky zhvillim po analizohet nga eksperti si një përpjekje e Beogradit për të gjetur alibi dhe për të arsyetuar aksionet e ngjashme të ndërmarra më parë nga organet e sigurisë së Kosovës, të cilat patën për qëllim neutralizimin e rrjeteve të spiunazhit serb brenda vendit.
“Arrestimet e bëra nga inteligjenca e Serbisë, me dyshimin se shtetasit e saj janë bashkëpunëtorë të Shërbimit Informativ Shqiptar, edhe një herë dëshmojnë faktin se Serbia tanimë po kërkon të kërkojë një justifikim të plotë sa i përket këtyre aktiviteteve, të cilat ishin bërë nga ana e strukturave tona të sigurisë në Republikën e Kosovës, duke neutralizuar veprimet e Shërbimit Informativ të Serbisë në Kosovë”, shtoi ai.
Këto ngjarje vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes së analistëve, të cilët i shohin si indikatorë të tensioneve të vazhdueshme që synojnë të minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: