Sport
Ministria e Mjedisit ndal projektin për Ulpianën: Rama nuk mund ta betonizojë lagjen ikonike
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka konfirmuar zyrtarisht refuzimin e projektit të kontestuar “Ulpiana 2030 Legacy”, i cili ishte iniciuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Ky vendim vjen pas një shqyrtimi të detajuar të ligjshmërisë së këtij plani, i cili kishte nxitur pakënaqësi të mëdha te banorët e kësaj zone.
Pacolli ka qenë e prerë në qëndrimin e saj, duke theksuar se përpjekjet për “betonizimin” e një prej lagjeve më të rëndësishme të kryeqytetit nuk do të lejohen. Sipas saj, procesi i hartimit dhe miratimit të këtij projekti është karakterizuar nga shpërfillja e plotë e procedurave ligjore dhe dokumenteve ekzistuese të planifikimit hapësinor.
“Hapësirat publike nuk janë pronë private e kryetarit që të trajtohen si plaçkë përmes vendimeve të jashtëligjshme”, deklaroi Pacolli, duke shtuar se ministria që ajo drejton, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka vlerësuar se projekti në fjalë nuk gjen mbështetje në asnjë bazë ligjore të aplikueshme për planifikimin hapësinor në nivel lokal.
Sipas argumenteve të ministrisë, projekti ka dështuar të dëshmojë përputhshmëri me shfrytëzimin e lejuar të tokës, ndërsa parametrat urbanë janë përcaktuar në mënyrë arbitrare përmes vendimeve të veçanta, në vend që të bazoheshin në dokumentet zyrtare të planifikimit. Po ashtu, ndryshimi i destinimit të parcelave është konsideruar i papranueshëm pasi bie ndesh me dokumentacionin grafik dhe tekstual në fuqi të Komunës së Prishtinës.
Kujtojmë se Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte marrë vendim më 6 nëntor për caktimin e lokacionit te “Fontana” në Ulpianë për ndërtimin e një objekti të ri dhe parkingu nëntokësor, duke u thirrur në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030. Megjithatë, Ministria e Rinisë dhe Sportit ka sqaruar se një projekt i tillë nuk është pjesë e planeve të parapara për këtë ngjarje ndërkombëtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: