Politikë
Bllokohet marrëveshja milionëshe e Përparim Ramës për 'Tulltoren': MAPL gjen shkelje ligjore në pronën që lidhet me biznesmenin e dënuar për pastrim parash
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka shpallur të paligjshëm vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale të njohur si “Tulltorja” për kompaninë “BGC SH.P.K.”. Prapa këtij biznesi qëndron Blerim Gërbeshi, i cili është dënuar më parë nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale të shpëlarjes së parave.
Vendimi në fjalë, i votuar më 11 shtator, iu përcjell ministrisë për shqyrtim më 17 shtator. Pas analizës së detajuar, dikasteri qeveritar konstatoi se akti bie ndesh me ligjet në fuqi, duke kërkuar nga organi komunal rishqyrtimin dhe harmonizimin e tij të plotë me dispozitat ligjore.
Një nga parregullsitë kryesore të evidentuara nga institucioni qendror ka të bëjë me procedurat e negocimit për dhënien e kësaj prone në shfrytëzim. Sipas ministrisë, Rregullorja QRK Nr. 09/2020 i jep të drejtë kryetarit të komunës të negociojë vetëm në raste specifike, kur investimi i synuar përshtatet me kriteret e përcaktuara për sektorë të caktuar dhe vlerën e parashikuar.
Megjithatë, MAPL ka vlerësuar se projekti i planifikuar për zonën e “Tulltores” nuk bën pjesë në fushat që lejojnë këtë formë procedimi. Ndonëse në dokumentacion theksohet se synohet ngritja e një kompleksi modern shumëfunksional si qendër ekonomike, kulturore dhe afariste për kryeqytetin, ministria argumenton se ky qëllim nuk përkon me sektorët e përcaktuar në rregullore.
Gjithashtu, MAPL ka gjetur se prona prej 54 mijë e 260 metrash katrorë, e cila ndodhet në Zonën Kadastrale Prishtinë dhe është në pronësi të Komunës së Prishtinës, nuk figuronte në listën e veçantë të pronave të paluajtshme të parashikuara për shfrytëzim gjatë vitit 2026. Ky veprim bie në kundërshtim me nenin 13 të Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Për këto arsye, autoriteti qendror ka lënë afat prej 30 ditësh që Kuvendi Komunal i Prishtinës të kthejë në shqyrtim vendimin dhe ta përshtasë atë me kuadrin ligjor aktual, duke ngritur njëkohësisht pikëpyetje serioze etike përtej aspektit formal.
Të dhënat nga historiku i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) dëshmojnë se Blerim Gërbeshi ka mbajtur role si pronar, aksionar dhe drejtor në periudha të ndryshme te “BGC SH.P.K.”, ndërsa burimet konfirmojnë se ai vazhdon të jetë njeriu kryesor pas kësaj kompanie.
Gërbeshi është një emër i njohur për organet e drejtësisë. Në qershor të vitit 2023, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë shpalli fajtor atë dhe dy persona të tjerë, Mirsad Popova dhe Arjan Ibriqi, për shpëlarje parash.
Ky vendim u mor nga gjykatësja Shadije Gërguri, pasi të pandehurit kishin arritur një marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale. Si pasojë, Blerim Gërbeshi u dënua me 2 vjet burgim me kusht, me një periudhë verifikimi prej tri vitesh, si dhe u gjobit me 15,000 euro.
Aktakuza ndaj Gërbeshit, Ibriqit dhe Popovës ishte ngritur fillimisht nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 12 shtator 2019, e cila i ngarkonte ata për vepra penale të kryera gjatë periudhës 2012–2014.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: