Aktuale
Alarm në rrugën “Nurije Zeka”: Mbeturinat inerte pushtojnë lagjen dhe sjellin rrezikun e brejtësve
Reklamë e Sponsorizuar
Banorët e rrugës “Nurije Zeka” në Prishtinë po përballen prej më shumë se një muaji me një situatë alarmante për shkak të grumbullimit të mbeturinave inerte. Papastërtitë e shumta në këtë hapësirë publike kanë shkaktuar shqetësim të madh te banorët e zonës, të cilët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet kompetente për pastrimin e terrenit.
Përveç dëmtimit të pamjes vizuale të lagjes, situata e rënduar mjedisore ka sjellë edhe shfaqjen e insekteve dhe minjve. Sipas banorëve, kjo gjendje përbën një rrezik serioz si për kushtet elementare të higjienës, ashtu edhe për shëndetin e qytetarëve që kalojnë çdo ditë në këtë pjesë të kryeqytetit.
Violeta Hasani, kryetare e Komunitetit Lokal për Siguri Publike në Qendër, ka bërë të ditur se ka njoftuar me anë të një e-maili Komunën e Prishtinës për këtë problematikë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ajo ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që kjo hapësirë shndërrohet në vendgrumbullim mbeturinash, pasi fenomeni po përsëritet pavarësisht ndërhyrjeve të kaluara.
Duke kritikuar mungesën e bashkëpunimit institucional, Hasani ka deklaruar: “Kjo gjendje i ka ndoshta një muaj, madje edhe më shumë. Kam dërguar email në Komunë, por fatkeqësisht Komuna nuk i përgjigjet komunitetit të qendrës dhe nuk bashkëpunon me të. Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka vendosur këtë tabelë, ku thuhet se nuk guxojnë të hidhen mbeturina këtu. Ka qenë më herët edhe drejtori Leutrim Retkoceri, kanë ardhur dhe e kanë pastruar këtë pjesë. Pas pastrimit, përgjegjëse është edhe Drejtoria e Inspeksionit Komunal. Ajo është fajtore që nuk po i gjobit qytetarët për ndotjen e ambientit. Edhe Ministria e Mjedisit, të dyja mund të bashkëpunojnë dhe t'i zgjidhin këto probleme që na kanë ngulfatur… Janë paraqitur insekte të ndryshme. Vetë i kam parë edhe minjtë, të cilët janë shumë të mëdhenj… Prej Komunës kam pritur shumë më shumë.”
Në lidhje me këtë shqetësim, drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, në një prononcim me shkrim, ka bërë me dije se do të kontaktojë kompaninë rajonale të mbeturinave KRM “Pastrimi” për të kërkuar heqjen e mbeturinave të grumbulluara.
"Kompanisë do t'i kërkohet që rasti të trajtohet me prioritet, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët për praninë e brejtësve në këtë zonë. Drejtoria ka bërë të ditur se do të kërkojë ndërmarrjen e masave të nevojshme në përputhje me obligimet që burojnë nga aktet nënligjore në fuqi", ka theksuar drejtori Retkoceri.
Ndërkohë, banorët e zonës mbeten në pritje të një zgjidhjeje të prekshme, e cila përveç pastrimit të hapësirës, do të përfshijë edhe masa parandaluese për të ndalur shfaqjen e sërishme të mbeturinave në këtë pjesë të qytetit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: