Botë
Dita e Forcës në Prishtinë, Haxhiu: FSK po rritet profesionalisht me synim të qartë integrimin në NATO
Reklamë e Sponsorizuar
Përmes një ceremonie madhështore të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në kryeqytet, Forca e Sigurisë së Kosovës ka kremtuar 27 Nëntorin, i njohur tashmë si Dita e Forcës, ngjarje ku u shfaqën për publikun armatimi dhe arritjet e fundit të trupave tona ushtarake.
Kësaj ngjarjeje solemne iu bashkua edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila gjatë fjalës së saj veçoi ecurinë dhe zgjerimin e vazhdueshëm të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Duke shprehur krenari për djemtë dhe vajzat që mbajnë veshur uniformën e FSK-së, Haxhiu kujtoi me mirënjohje edhe kontributin e veteranëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u sakrifikuan pa mundur ta shohin realizuar ëndrrën e ushtrisë moderne të Kosovës.
Në fjalën e saj, ajo garantoi se shteti do të vijojë investimet në fushën e mbrojtjes, me objektivin madhor që FSK-ja të bëhet pjesë e aleancës euroatlantike të NATO-s, krah partnerëve ndërkombëtarë.
“Është krenari për sa kohë pamë që ushtria jonë në vazhdimësi po fuqizohet me armatim. Kur shohim vajzat dhe djemtë, të ushtrisë tonë, teksa mbajnë të veshur uniformën e Forcave të Sigurisë së Kosovës, na shkon mendja tek ata që shërbyen me devotshmëri në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ata që u bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që, fatkeqësisht, sot nuk mund ta shohin se sa e fortë është ushtria jonë. Ishte krenari po ashtu që të shohim fëmijët teksa me ëndje, me dashuri, i shihnin ushtarët tanë, ndoshta shumë prej tyre në të ardhmen do të shërbejnë në ushtrinë e Republikës së Kosovës. Si institucionet e Republikës së Kosovës, për sigurinë e fëmijëve, për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, për brezat që po vijnë, do të vazhdojmë angazhimin që ta forcojmë ushtrinë tonë, e që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e NATO-s, pikërisht krah aleatëve, partnerëve që bashkërisht me ne e kanë zhvilluar historinë e Republikës së Kosovës. Nderim dhe respekt të gjithë atyre që dhanë jetën, që sot ne jemi shtet i pavarur e të jemi të lirë, e po ashtu më lejoni që të uroj Ditën e Forcës, pra 27 nëntorin, por edhe 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit”, u shpreh Haxhiu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: