Ekonomi
Tirana pret liderët për Plani e Rritjes, Rama: Çasti historik për rajonin dhe Bashkimin Evropian
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti shqiptar është mikpritësi i Samitit të Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes, një ngjarje kyçe që po vë anën ekonomike dhe reformuese të rajonit në tryezën e diskutimeve evropiane.
Gjatë fjalës hapëse, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi bilancin e arritjeve të vendeve pjesëmarrëse, duke vënë në dukje se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shfaqur një performancë më të lartë, çka do të përkthehet në mbështetje më të madhe financiare.
Në shifra konkrete, Mali i Zi ka kryer 94% të reformave të kërkuara dhe do të përfitojë 81 milionë euro nga raundi i dytë, Shqipëria ka përmbushur 85% të tyre duke siguruar 185.6 milionë euro në kuadër të pagesës së katër, ndërsa Maqedonia e Veriut, me 56% të zbatimit, do të marrë 70.9 milionë euro.
“Do të hyjmë në katërvjeçarin e fundit të planit të rritjes. Plani u përpilua për të mbështetur reforma ekonomike që ndihmojnë për anëtarësimin. Deri tani tre shtete kanë përparuar... Fondet janë që të shpërndahen për vendet që performojnë më mirë. Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin 15% më shumë nga plani i rritjes, ndërsa RMV 10%”, u shpreh ndër të tjera Marta Kos.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen ndaj komisioneres Kos për përkushtimin e saj ndaj vendeve të rajonit, duke e cilësuar atë si një mbështetëse të zëshme të aspiratave evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Dua të falënderoj Marta Kos për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm për Ballkanin Perëndimor. Ajo ka qenë një zë i fortë për ne dhe për BE-në. Kur bëhet fjalë për zgjerimin, duhet të qëndrojmë të vendosur dhe të mos bëjmë lëvizje që mund të sjellin pasoja në formën e vonesave”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
Duke e vënë theksin te procesi i integrimit, Rama e konsideroi zgjerimin jo thjesht një detyrim për vendet kandidate, por një mundësi të artë dhe një “bekim” për vetë Bashkimin Evropian, duke kërkuar që përgjegjësitë të ndahen bashkërisht në nivel rajonal.
“Bindja ime është e fortë se për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet rreth tryezës, zgjerimi është bekim për BE-në. Duhet të dimë se e ardhmja jonë evropiane është një përgjegjësi e përbashkët rajonale. Jemi këtu për të folur hapur, për të ndarë pikëpamjet tona dhe për të vendosur së bashku për vitin e ardhshëm”, u shpreh ai.
Në nisje të punimeve, Rama e cilësoi këtë samit si një udhëkryq vendimtar për të ardhmen evropiane të Ballkanit, duke ritheksuar se ky proces përfaqëson një qasje të re të integrimit gradual, ku reformat ekonomike dhe bashkëpunimi sjellin përfitime të prekshme për qytetarët ende pa u bërë anëtarë me të drejta të plota.
“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara. Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën. Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual”, përmbylli fjalën e tij kryeministri Rama.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: