Aktuale
Zhvillimi i FSK-së: Çfarë i duhet Ushtrisë së Kosovës në rrugën drejt modernizimit të plotë
Reklamë e Sponsorizuar
Data 27 nëntor shënon Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), një përvjetor me domethënie të lartë për shtetin dhe sektorin e mbrojtjes, i cili dëshmon historikun e themelimit, rritjes dhe shndërrimit të kësaj trupe në një shtyllë kyçe për sigurinë e vendit. Ndër vite, ky institucion ka kaluar nëpër faza të njëpasnjëshme fuqizimi, duke ngritur standardet profesionale, duke u pajisur me teknologji e armatim bashkëkohor, si dhe duke forcuar partneritetet me shtetet aleate.
Faza vendimtare e këtij transformimi nisi pas paketës ligjore të dhjetorit 2018, duke i dhënë hov ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse përmes investimeve ushtarake, rekrutimeve, trajnimeve dhe pranisë në nisma ndërkombëtare. Megjithatë, ndërtimi i një force bashkëkohore dhe të qëndrueshme kërkon më shumë sesa thjesht armatim; ai lyp sisteme të integruara, gatishmëri të lartë operacionale, komandim efikas, inteligjencë ushtarake dhe një logjistikë të patundur.
Në një mjedis sigurie që ndryshuje shpejt, ku dronët, mbrojtja kundërajrore, lufta elektronike dhe inteligjenca dominojnë fushëbetejën, Kosova duhet të mbështetet në një strategji afatgjatë. Krahas modernizimit, thellimi i aleancës me NATO-n dhe nxitja e industrisë vendore të mbrojtjes mbeten parësore për të garantuar pavarësi në furnizim.
Për këto zhvillime kanë folur gjeneral-majori në pension, Prof. Dr. Muhamet Racaj, dhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, të cilët kanë analizuar të arriturat, nevojat për investime, rëndësinë e teknologjisë ushtarake, mbrojtjes kundërajrore, prodhimit të municionit në vend dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në prononcimin e tij, gjeneral-majori në pension, Prof. Dr. Muhamet Racaj, ka vlerësuar hapat e bërë nga FSK-ja në armatim, pajisje, profesionalizim dhe bashkëpunim, duke theksuar megjithatë se sfida kryesore mbetet përkthimi i këtyre mjeteve në aftësi konkrete operacionale.
“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga një strukturë fillestare e sigurisë në një forcë me mandat ushtarak, i bazuar në ligjet e miratuara nga Kuvendi në vitin 2018, përfaqëson një proces të rëndësishëm institucional. Ky transformim kërkon kohë, investime të qëndrueshme, përgatitje profesionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me aleatët strategjikë”, ka deklaruar Racaj.
Ai ka shtuar se ndonëse ka progres të dukshëm, duhet bërë dallimi mes posedimit të armëve të reja dhe shfrytëzimit të tyre në mënyrë të bashkërenduar, duke kujtuar se një ushtri moderne kërkon sistem funksional komandimi, kontrolli, komunikimi, zbulimi dhe logjistike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: