Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Incidentet me flamurin palestinez në Gjeorgji: Reagimi i ashpër i Turqisë pas përleshjeve në ndeshjen e Besiktasit

Redaksia Lajmetereja • 27-11-2026 08:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Incidentet me flamurin palestinez në Gjeorgji: Reagimi i ashpër i Turqisë pas përleshjeve në ndeshjen e Besiktasit
Federata Turke e Futbollit ka lëshuar një reagim të ashpër ndaj autoriteteve gjeorgjiane, pas trajtimit të dhunshëm që iu bë tifozëve të Besiktasit gjatë përballjes së Ligës së Evropës kundër skuadrës izraelite Hapoel Beer Sheva, e cila u zhvillua në qytetin e Batumit. Institucioni më i lartë i futbollit në Turqi i ka quajtur “të papranueshme” ndërhyrjet e forcave të rendit ndaj mbështetësve të skuadrës nga Stambolli, të cilët ngritën një banderolë në solidarizim me Palestinën dhe lëshuan thirrje kundër Izraelit në tribuna. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Federata Turke theksoi: “Ne dënojmë fuqimisht qëndrimet, sjelljet dhe veprimet e papranueshme të drejtuara ndaj mbështetësve të Besiktasit brenda dhe jashtë stadiumit para dhe gjatë ndeshjes së UEFA Europa League midis përfaqësueses sonë Besiktas dhe Hapoel Beer Sheva në Gjeorgji”. Ndryshe, tensionet dhe përleshjet fizike mes tifozëve turq dhe policisë gjeorgjiane çuan në ndalimin e përkohshëm të lojës në minutën e 25-të. Bazuar në të dhënat nga burimet mediatike në vend, disa persona ranë në pranga pas trazirave të shkaktuara në tribuna. Pamjet nga transmetimet televizive dëshmuan momentet kur tifozët gjuanin me sende të ndryshme drejt efektivëve, ndërkohë që këta të fundit po tentonin të ndërmerrnin masa arrestimi. Sipas televizionit gjeorgjian TV Pirveli, shkas për ndërhyrjen e policisë u bë shpalosja e flamurit palestinez dhe brohoritjet e njëpasnjëshme anti-izraelite nga tifozët e Besiktasit. Për shpërndarjen e turmës, policia përdori sprej piperit, ku si pasojë disa prej mbështetësve pësuan lëndime dhe u dërguan për të marrë ndihmë mjekësore, sipas njoftimit të agjencisë turke të lajmeve DHA. Pasi situata u qetësua, sfida u rinis. Si pasojë e kësaj situate të tensionuar, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologen e tij nga Gjeorgjija, Maka Botchorishvili. Nga ana tjetër, burime pranë diplomacisë turke konfirmuar se zyrtarë të ambasadës në Tbilisi dhe konsullatës në Batumi ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur nga afër ngjarjet. “Po merren të gjitha hapat e nvojshëm për të siguruar sigurinë e qytetarëve tanë dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e burimit diplomatik. Vlen të theksohet se kjo ndeshje u zhvendos nga Stambolli në qytetin gjeorgjian të Batumit, pasi drejtuesit e klubit dhe autoritetet turke kishin njoftuar UEFA-n se, për arsye të sigurisë publike, takimi nuk mund të organizohej në territorin turk. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë dhe Izraelit kanë shënuar një ftohje dhe përkeqësim të ndjeshëm, si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm në Gaza.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar