Kronikë
Revolucioni në drejtësi: Rama zbulon paketën që heq arrestin me burg për dënimet nën 5 vite
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama ka bërë publik ditën e sotme draftin e ri me ndryshimet rrënjësore në Kodin e Procedurës Penale, duke u ndalur gjerësisht te mënyra e caktimit të masave të sigurimit dhe zgjerimi i opsioneve alternative ndaj qelisë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Qeverisë solli në vëmendje një episod me profesoreshën Rafael Pariso, e cila kishte evidentuar një defekt konceptual në hierarkinë e masave të Kodit tonë penal.
“Një kod që fillon me arrestin me burg dhe zbret pastaj te masat më të lehta, e mëson sistemin me këtë renditje dhe e nxit që të mendojë gjithnjë burgun si të parin”, u shpreh Rama, duke nënvizuar se nisma e re synon t'i japë fund pikërisht kësaj logjike.
Sipas vizionit të ri ligjor, procesi gjyqësor duhet të nisë nga liria e individit, duke shqyrtuar fillimisht opsionet më të buta, siç është arresti në shtëpi, dhe vetëm kur këto të fundit rezultojnë të pamjaftueshme, të kalohet te masa ekstreme e arrestit me burg.
Në bazë të draftit të prezantuar nga Rama, për veprat penale që mbajnë një dënim maksimal deri në 3 vjet, nuk do të aplikohen më masa shtrënguese si rregull i përgjithshëm, ndërsa për ato me dënim maksimal nën 5 vjet do të ndalohet rreptësisht caktimi i arrestit me burg.
“Kështu për shembull për veprat me dënim maksimal deri në 3 vjet, si rregull nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Për vepra me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës e marrë më vete nuk do të mjaftojë më. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që lidhen me vetë personin”, deklaroi kryeministri.
Ai paralajmëroi gjithashtu se gjykatat do të jenë nën lupë për vendimet e tyre: “gjykata duhet të bëjë vlerësimin e saj të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit dhe nuk arsyeton pse masat më të buta nuk mjaftojnë, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit”.
Një tjetër risi e bërë e ditur nga Rama është se, në çdo rast kur jepet masa e arrestit, trupa gjykatore do të jetë e detyruar të marrë në konsideratë edhe garancinë pasurore, e cila do të llogaritet bazuar në gjendjen reale financiare të individit, duke përjashtuar nga kjo lehtësi rastet e rrezikut ndaj provës, krimet e rënda me dhunë, terrorizmin, veprat kundër rendit kushtetues dhe çështjet që janë në kompetencë të Gjykatës së Posaçme.
Kryeministri theksoj gjithashtu se liria nuk do të jetë më një e drejtë e harruar pas vendimit të parë, pasi prokurori do të detyrohet t'i raportojë çdo muaj gjykatës për të provuar nëse arsyet që mbajnë një person nën masë janë ende valide.
“Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato. Liria nuk mund të kufizohet njëherë dhe pastaj të harrohet sikur nuk ekziston më”, u shpreh ai.
Në fund të prezantimit, Rama vuri në dukje se paketa e re sjell një mbrojtje të shtuar për kategoritë e ndjeshme shoqërore, duke përfshirë nënat me fëmijë deri në 6 vjeç, baballarët apo kujdestarët ligjorë kur nëna mungon, personat mbi 70 vjeç, të sëmurët rëndë dhe individët që ndjekin programe terapeutike, të cilët nuk do të trajtohen më sikur rrethanat e tyre jetësore të mos ekzistonin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: