Aktuale
Skandali me ushqimet: Bllokohen në Mal të Zi rreth 103 tonë mish i skaduar që kishte destinacion Kosovën
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet malazeze kanë ndaluar një tjetër sasi të konsiderueshme të mishit të ngrirë që kishte si destinacion përfundimtar Kosovën, duke çuar në katër numrin e kontejnerëve të bllokuar brenda një kohe të shkurtër për kompanisë kosovare “Apetit SHPK”.
Më 24 shtator, Dogana e Malit të Zi ka ndalur në Portin e Barit një kontejner të mbushur me mish viçi të ngrirë, i cili i adresohej kompanisë “Apetit SHPK”. Gjatë verifikimeve zyrtare, është zbuluar se produkti kishte skaduar që datë 14 maj 2026.
Sipas të dhënave nga autoritetet atje, ngarkesa përmbante 1 mijë e 321 paketime, me një peshë bruto prej 24 mijë e 650 kilogramësh. Për këtë ngjarje janë vënë në lëvizje inspektori veterinar dhe Policia e Malit të Zi, të cilët kanë nisur procedurat përkatëse hetimore.
Ky operacion pason një ndërhyrje të ngjashme të ndodhur vetëm dhjetë ditë më parë, më 15 shtator, kur Dogana e Malit të Zi bllokoi tre kontejnerë të tjerë me mish viçi të ngrirë me origjinë nga Brazili, të cilët po ashtu po silleshin për një blerës nga Kosova.
Gjatë kontrollit të atëhershëm, zyrtarët malazezë ngritën dyshime të forta se etiketat origjinale që tregonin skadimin e produktit ishin hequr dhe zëvendësuar me etiketa të reja e të falsifikuara, për të manipuluar afatin e përdorimit.
“Gjatë kontrollit të mëtejshëm është konstatuar se në frigoriferin në Portin e Tivarit, punëtorët e angazhuar nga një kompani nga Kosova, me mjete për heqjen dhe vendosjen e etiketave, kanë hequr deklaratat origjinale në të cilat ishte shënuar afati i përdorimit të mishit të viçit, pas së cilës janë vendosur deklarata të reja të falsifikuara me afat të ri, përkatësisht të ndryshuar të përdorimit”, tha Dogana e Malit të Zi në njoftimin e datës 15 shtator.
Në total, autoritetet doganore malazeze kanë bërë të ditur se në këto dy raste kanë ndaluar transitin e mishit me një peshë të përgjithshme prej 102 mijë e 491 kilogramësh, shifër kjo që i afrohet rreth 103 tonëve.
Po ashtu, autoritetet e shtetit fqinj kanë bërë të ditur se përmes bashkëpunimit me administratat doganore të rajonit, kanë marrë njoftime se parregullsi të ngjashme që lidhen me këtë kompani janë vërejtur edhe në Portin e Durrësit, ndërsa janë njoftuar edhe autoritetet ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Doganave.
Kompania “Apetit SHPK”, e cila ndodhet në pronësi të familjes Ferizi, është ndër subjektet më të mëdha në tregun e prodhimit dhe përpunimit të mishit në Kosovë.
Emri i kësaj kompanie ishte përfshirë edhe në një tjetër ngjarje të bujshme gjatë vitit 2024, kur emisioni investigativ “Stop” në “TV Klan” kishte raportuar për dyshime se mish brazilian po tregtohej në Shqipëri si mish i freskët me origjinë vendase nga Kosova.
Sipas hulumtimit të atëhershëm, pretendohej se mishi i importuar nga jashtë kalonte përmes “Apetit SHPK” dhe më pas dokumentacioni ndryshohej për ta paraqitur produktin si mish të therur në Kosovë, pretendime këto që u hodhën poshtë nga vetë kompania si të pavërteta.
Lidhur me bllokimin e dërgesave të fundit në Mal të Zi, është kërkuar një qëndrim zyrtar si nga kompania “Apetit SHPK”, ashtu edhe nga Dogana e Kosovës, për të kuptuar nëse institucionet vendase kanë qenë në dijeni dhe çfarë masash mund të ndërmerren, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: