Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kriptomonedhat në Shqipëri: Qeveria prezanton ligjin e ri për të disiplinuar tregun dhe mbrojtur investitorët

Redaksia Lajmetereja • 26-11-2026 21:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kriptomonedhat në Shqipëri: Qeveria prezanton ligjin e ri për të disiplinuar tregun dhe mbrojtur investitorët
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar sot në Kuvend draftin e ri ligjor “Për tregjet e kriptoaseteve”. Ky projektligj synon të sjellë një kornizë të re rregullatore që përputhet plotësisht me standardet e Bashkimit Europian, duke garantuar një mjedis më të sigurt për investitorët dhe një funksionim më transparent të tregut financiar digjital në vendin tonë. Duke iu referuar shifrave globale, ku kapitalizimi i tregut të kriptoaseteve arriti në 2,66 trilionë dollarë në fund të tetorit, Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria nuk mund të mbetet jashtë këtij realiteti. Sipas saj, qytetarët shqiptarë janë tashmë aktivë në këtë treg, por shpesh operojnë përmes platformave të huaja që qëndrojnë jashtë mbikëqyrjes së institucioneve vendase. Për këtë arsye, shteti po ndërmerr hapa për të legjitimuar këtë sektor dhe për të nxitur sipërmarrjet inovative. Projektligji në fjalë zëvendëson legjislacionin e vitit 2020 dhe harmonizohet me rregulloren europiane MiCA, e cila ka hyrë në fuqi plotësisht prej dhjetorit të vitit 2024. Ky akt rregullon 10 kategori shërbimesh, duke përfshirë administrimin e portofolave, transfertat, këshillimin dhe operimin e platformave të tregtimit. Për këto të fundit, kërkesat për kapitalin minimal variojnë nga 50 mijë euro për shërbimet këshillimore e deri në 150 mijë euro për platformat e tregtimit. Një fokus i veçantë i është kushtuar mbrojtjes së konsumatorit. Operatorët do të jenë të detyruar të ofrojnë transparencë të plotë mbi kostot dhe rreziqet, si dhe të mbajnë asetet e klientëve të ndara nga ato të kompanisë. Gjithashtu, qytetarët do të kenë akses në regjistra publikë për të verifikuar autorizimin e operatorëve dhe do të gëzojnë mekanizma të qarta për trajtimin e ankesave. Megjithatë, ministrja Ibrahimaj bëri një sqarim të rëndësishëm: rregullimi i tregut nuk përbën garanci shtetërore për humbjet eventuale. Duke sjellë në vëmendje raste si falimentimi i platformës FTX, ajo theksoi se investimi në kriptoasete mbart rreziqe, prandaj qëllimi i ligjit është që qytetarët të jenë të informuar dhe të mbrojtur nga praktikat abuzive. Përtej sigurisë, projektligji synon të zhvillojë industrinë fintech në Shqipëri, duke lehtësuar pagesat ndërkufitare dhe duke mbështetur profesionistët e rinj të teknologjisë. Një risi e rëndësishme është krijimi i një “sandbox”-i, një mjedis i kontrolluar testimi që do t’u mundësojë startup-eve shqiptare të zhvillojnë dhe provojnë teknologji dhe modele biznesi novatore përpara se t'i hedhin në tregun vendas ose ndërkombëtar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar