Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

“E dimë kush ta ndali vallen”: Familjari i viktimës së Gllogjanit thyen heshtjen pas vendimit të gjykatës

Redaksia Lajmetereja • 26-11-2026 19:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
“E dimë kush ta ndali vallen”: Familjari i viktimës së Gllogjanit thyen heshtjen pas vendimit të gjykatës
Brikend Hamzaj, vëllai i Ledion Hamzës – njërit prej tre personave që humbën jetën në sulmin tragjik ndaj autobusit në Gllogjan të Deçanit – ka bërë një reagim të fuqishëm publik, duke kërkuar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Përmes një shkrimi të ndjeshëm në rrjetet sociale, Hamzaj ka shprehur zhgënjimin e thellë për mungesën e drejtësisë, pesë vjet pas këtij krimi. Ai ka theksuar se familja e tij është në dijeni të plotë rreth identitetit të personave përgjegjës për vdekjen e vëllait të tij. “Ti pusho në paqe, vëllai im. Vallja jote nuk ka mbaruar. Ne, si familje, e dimë shumë mirë se kush ta ndali vallen. E dimë të vërtetën dhe e dimë kush ta mori jetën”, ka shkruar Brikend Hamzaj në mesazhin e tij drejtuar vëllait të ndjerë. Në vijim të reagimit, ai ka potencuar se familja ka treguar durim dhe respekt ndaj proceseve ligjore, duke pritur që institucionet të bëjnë punën e tyre. Megjithatë, ai tani kërkon që shteti të përmbushë obligimin për të vënë përgjegjësit para drejtësisë. “Ne, si familje, i kemi dhënë fjalën shtetit të Kosovës se do të presim deri në fund, deri sa të rrahet çekiçi i fundit i drejtësisë. Kemi duruar, kemi pritur dhe kemi respektuar ligjin, edhe pse dhimbja jonë nuk ka pushuar asnjë ditë. Ne fjalën tonë e kemi mbajtur. Tani është radha e shtetit ta mbajë fjalën e vet. Kërkojmë drejtësi”, ka shtuar ai. Ky reagim vjen pas epilogut gjyqësor të 23 tetorit, kur Gjykata Themelore në Pejë shpalli të pafajshëm tre të akuzuarit, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, pas një procesi pesëvjeçar. Kujtojmë se ngjarja tragjike e 26 nëntorit 2021 tronditi opinionin publik, kur një autobus në Gllogjan u vu në shënjestër të të shtënave me armë zjarri. Nga ky sulm mbetën të vrarë shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënësit, Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, ndërsa familjarët e tyre vazhdojnë të kërkojnë që vrasësit e vërtetë të marrin dënimin e merituar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar