Aktuale
“Të Bashkuar për Shqipërinë”: Një lëvizje e re politike lind nga gjiri i studentëve dhe diasporës
Reklamë e Sponsorizuar
Një grup ambicioz studentësh, profesionistësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësuesish të diasporës ka zyrtarizuar themelimin e forcës më të re politike në vend, të pagëzuar me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Kjo nismë, e cila ka nisur tashmë procesin e mbledhjes së firmave, synon të sjellë një qasje të re në politikë, duke u mbështetur fuqimisht mbi parimet e meritokracisë, drejtësisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë.
Sipas nismëtarëve, ky projekt ka ardhur si një nevojë për të kanalizuar pakënaqësitë dhe vullnetin e mijëra qytetarëve, përfshirë pedagogë, prindër dhe të rinj, të cilët kërkojnë një shtet të së drejtës. Përfaqësuesit e këtij grupimi kanë bërë të ditur se në ditët në vijim do të nisin një tur takimesh intensive në qytete dhe fshatra të Shqipërisë, si dhe me bashkatdhetarët jashtë kufijve, për të prezantuar platformën e tyre dhe për të finalizuar procesin e regjistrimit të subjektit.
Në një deklaratë publike, përfaqësuesja e grupit nënvizoi se “Të Bashkuar për Shqipërinë” nuk është një parti e krijuar në zyra të mbyllura, por një alternativë e hapur që refuzon kultin e individit. Ajo theksoi se programi i tyre do të mbështetet te standardet e matshme, ku çdo angazhim do të ketë një afat, përgjegjës konkret dhe llogaridhënie të vazhdueshme para qytetarëve.
“Ne nuk vijmë për të bërë premtime boshe, por për të vendosur standarde. Besimi nuk kërkohet, ai fitohet përmes rezultateve të verifikueshme,” u shpreh përfaqësuesja e grupit. Ajo shtoi se partia do të funksionojë me mandate të kufizuara për drejtuesit, pa privilegje për themeluesit dhe me një strukturë që parandalon kapjen e saj nga interesa personale apo donatorë të caktuar, duke ftuar çdo shqiptar që beson në një ndryshim rrënjësor t’i bashkohet këtij rrugëtimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: