Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kurti: Qendra për dronë në Podujevë pritet të funksionalizohet në vitin 2027

Redaksia Lajmetereja • 26-11-2026 16:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri tha se marrëveshja me fondacionin turk “T3”, të udhëhequr nga kompania “Bayraktar”, parasheh hapjen e një qendre shkencore dhe inovative për teknologjinë e fluturakeve pa pilot. Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se qendra shkencore dhe inovative për zhvillimin e teknologjisë së dronëve në Podujevë pritet të funksionalizohet në tremujorin e parë të vitit 2027. Këtë e bëri të ditur në Kuvendin e Kosovës, në përgjigje të pyetjes së deputetes së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime për mjetet e planifikuara në buxhetin e vitit 2027 për zhvillimin dhe prodhimin vendor të dronëve. Kurti tha se më 4 tetor 2026, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, është koordinuar nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet fondacionit turk “T3”, të udhëhequr nga kompania “Bayraktar”, dhe Komunës së Podujevës. Sipas tij, qendra do të jetë institucion publik nën menaxhimin e komunës dhe do të shërbejë për trajnime, inovacion dhe zhvillimin e projekteve teknologjike. “Objekti është i gatshëm dhe sipas afateve të dakorduara, planifikohet që qendra të funksionalizohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm 2027”, tha Kurti. Ai bëri të ditur se fondacioni “T3” do të mbështesë transferimin e teknologjisë dhe njohurive, ndërsa shpenzimet administrative, të vlerësuara në rreth 40 mijë euro në vit, do të mbulohen nga Komuna e Podujevës. Shpenzimet e tjera, sipas tij, do të mbulohen nga fondacioni. Kurti njoftoi gjithashtu se është planifikuar hapja e një qendre të ngjashme edhe në Prizren. Sa i përket prodhimit vendor të dronëve, kryeministri tha se Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar letra qëllimi me dy kompani vendore, të cilat aktualisht janë në fazën e testimit dhe prodhimit të fluturakeve pa pilot dhe interceptorëve. Ai theksoi se këto marrëveshje nuk krijojnë përgjegjësi financiare për Ministrinë e Mbrojtjes, por ministria do t’u ofrojë mbështetje administrative dhe do të promovojë produktet e kompanive në vendet partnere. Ndërkaq, lidhur me buxhetin për vitin 2027, Kurti pranoi se në tabelën e projekteve kapitale nuk është identifikuar një projekt i veçantë për zhvillimin dhe prodhimin vendor të dronëve. Ai bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë planifikohet të miratohet edhe konceptdokumenti për industrinë e mbrojtjes, i cili, sipas tij, do të krijojë qartësi ligjore për zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar