Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Incidentet në finalen e Superkupës, Smajl Latifi: Vandalizmi dhe dhuna nuk kanë vend në sport

Redaksia Lajmetereja • 30-09-2026 12:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Incidentet në finalen e Superkupës, Smajl Latifi: Vandalizmi dhe dhuna nuk kanë vend në sport
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar ashpër ndaj ngjarjeve të papranueshme të regjistruara në palestrën “Mizahir Isma”, ku u zhvillua përballja finale e Superkupës së Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe Bashkimit. Latifi ka dënuar pakuarizuar dhunën, fyerjet dhe shkatërrimin e pronës publike gjatë këtij eventi, duke nënvizuar se konkurrenca sportive kurrë nuk duhet të degjenerojë në akte të tilla. "Rivaliteti është pjesë e sportit, por fyerjet, dhuna dhe dëmtimi i pronës publike nuk janë tifozllëk. Është veçanërisht e dhimbshme që, vetëm një ditë pas bashkimit të të gjitha tifozërive, në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe kërkesës: 'Liri për çlirimtarët!', pamë sharje e përplasje mes tifozërive nën simbolet e saj. Ky kontrast është i papranueshëm dhe përcjell një mesazh të gabuar, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë që duam t’i edukojmë me dashuri për sportin, me respekt për kundërshtarin dhe me kulturë qytetare", ka shkruar Latifi. I pari i Rahovecit u ka bërë thirrje Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe klubeve të përfshira që të dëshmojnë përgjegjësi institucionale për lëshimet në organizim, duke kërkuar masa më të rrepta të sigurisë në sfidat e ardhshme. Sipas tij, prishja e ulëseve dhe e infrastrukturës së brendshme dëmton drejtpërdrejt pasurinë e përbashkët të qytetarëve rahovecas. "Dëmtimi i ulëseve, i infrastrukturës dhe i hapësirave të palestrës është dëm ndaj një prone publike, që i përket qytetarëve të Rahovecit. Këto dëme nuk duhet të rëndojnë mbi buxhetin e Komunës së Rahovecit dhe mbi taksapaguesit tanë. Organizatorët dhe palët përgjegjëse duhet të marrin përsipër kompensimin e dëmeve të shkaktuara, në përputhje me përgjegjësitë dhe me procedurat përkatëse", ka theksuar ai. Ndërkohë, kreu i komunës ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Policisë së Kosovës gjatë menaxhimit të situatës, duke ritheksuar rëndësinë e fair-play-it dhe mbrojtjes së ambjenteve publike. Ai ka garantuar se Rahoveci do të mbetet gjithmonë një nikoqir i hapur për organizimet e mëdha sportive, por ka bërë të qartë se mikpritja nuk nënkupton tolerim ndaj akteve vandale. Në rrafshin sportiv, Bashkimi ka ngritur trofeun e Superkupës së Kosovës, pasi triumfoi në një finale tejet dramatike ndaj Trepçës me shifrat 103:93, pas lojës shtesë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar