Politikë
Tensionet në Tiranë, ministri Demo nga Kuvendi: Policia veproi me masa proporcionale dhe zbatoi ligjin
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë fjalës së tij në Kuvend lidhur me zhvillimet dhe përplasjet e regjistruara gjatë protestave në kryeqytet, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se sulmet e drejtuara ndaj institucioneve shtetërore, organeve të pavarura dhe bizneseve private e kishin zhytur vendin në një gjendje emergjence, duke e nxjerrë atë jashtë çdo kornize të normalitetit.
Duke ritheksuar se e drejta e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar, ai u ndal te roli i strukturave rendore, duke theksuar se detyra kryesore e policisë mbetet zbatimi i ligjshmërisë, mbrojtja e jetës, e pronës dhe e institucioneve përmes ndërhyrjeve të matura dhe proporcionale.
Në këtë kuadër, ministri bëri të publike shifrat konkrete të masave disiplinore, duke njoftuar se deri më tani janë pezulluar 9 efektivë policie, ndërkohë që 50 raste të tjera po kalojnë nëpër sitën e verifikimit administrativ nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Ai shtoi gjithashtu se institucionet përkatëse po bashkëpunojnë ngushtë me organin e akuzës për procedimet penale të regjistruara lidhur me aktet e dhunës.
"Për sa i përket emergjencës, duhet të kuptojmë që në momentin që akti normativ ka dalë, institucionet shtetërore, Policia e Shtetit, bizneset private, institucionet e pavarura, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, Banka e Shqipërisë, kanë qenë nën një sulm barbar. Nëse kjo është jo një situatë emergjente, unë nuk di se çfarë duhet të ndodhi në Tiranë për të kuptuar që dhuna që ushtrohet ndaj sistemit juridik, në fakt, është jashtë normalitetit", u shpreh ndër të tjera Demo.
Sipas tij, reagimi i forcave të rendit ka qenë i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues. Ai garantoi se qëndrimi i tij si drejtues i këtij dikasteri ka qenë i palëkundur që nga dita e parë në lidhje me ruajtjen e proporcionalitetit, ndërsa shtoi se për çdo rast të tejkalimit të autoritetit janë ndërmarrë hapat e menjëhershëm ndëshkimorë.
Duke garantuar se liria e tubimit mbetet e pacenueshme dhe se qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e lor ndaj qeverisë apo çdo zyrtari, ministri theksoi se Policia e Shtetit është e vendosur të mbrojë këtë të drejtë kushtetuese, njëlloj siç është e thirrur të mbrojë sigurinë dhe rendin publik në çdo situatë të vështirë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: