Politikë
Vushtrri: Propozohet fond prej 500 eurosh si mbështetje urgjente për viktimat e dhunës në familje
Reklamë e Sponsorizuar
Anëtarja e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Hava Mlinaku, ka hedhur në tryezë një nismë të re për mbështetjen e grave që ballafaqohen me dhunë në familje, duke kërkuar që atyre t'u sigurohet një ndihmë financiare prej 500 eurosh nga buxheti i komunës. Këtë propozim ajo e ka bërë të ditur gjatë zhvillimit të seancës së Kuvendit Komunal të mbajtur këtë të mërkurë.
“Do të ishte mirë që të ofrojmë një mbështetje financiare të menjëhershme prej 500 eurosh”, ka deklaruar Mlinaku para të pranishmëve në sallën e Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj, asambleistja vuri në pah se përveç kujdesit institucional, strehimit dhe solidaritetit moral, viktimat e dhunës fizike apo psikologjike kërkojnë domosdoshmërisht edhe likuiditet financiar për të përballuar sfidat dhe shpenzimet e para pas ndarjes nga mjedisi abuziv.
“Ajo ndihmë të jetë e menjëhershme, mos me pritë për një periudhë”, u shpreh ajo, duke vënë theksin te fakti se këto gra kanë shpenzime të karakterit personal dhe duhet të kenë mundësi të kryejnë blerjet më elementare pa u zvarritur në procedura.
Në fund të fjalës së saj, Mlinaku shtoi gjithashtu se ky proces i alokimit të fondeve duhet të shoqërohet me dokumentimin e rregullt të rasteve nga organet kompetente.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: