Politikë
Kthesa e PDK-së për Specialen ndez debatin, analisti Jakupi: Partia ka nevojë për reflektim rrënjësor dhe largim nga improvizimet
Reklamë e Sponsorizuar
Deklarata e shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, se formacioni i tij politik fillimisht ishte kundër rikthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, por më pas ndryshoi kurs pas konsultimeve me ekspertët, ka hapur një diskutim të gjerë mbi strategjinë dhe vendimmarrjen e kësaj partie.
Tahiri e ka cilësuar këtë hap si një kosto politike që PDK-ja e ka marrë mbi vete me vetëdije, duke i dhënë përparësi procesit të apelit përkundër disavantazheve elektorale. Megjithatë, ky ndryshim i qëndrimit në sekondat e fundit ngre pikëpyetje serioze lidhur me konsistencën e partisë dhe balancën mes interesit partiak dhe atij që ajo e cilëson si interes shtetëror.
Lidhur me këto zhvillime politike, analisti Zejnulla Jakupi vlerëson se ky ndryshim i qëndrimit është dëshmi e qartë e një papërgatitjeje politike dhe e mungesës së një vizioni të mirëfilltë institucional nga ana e PDK-së.
Sipas tij, një subjekt që synon të kthehet në alternativë qeverisëse duhet të shfaqë qartësi në pozicionimet e tij, sidomos përballë temave kaq të ndjeshme juridike e politike. Jakupi thekson se luhatjet e qëndrimeve në momentet e fundit dëmtojnë rëndë besueshmërinë e partisë në sy të elektoratit.
Duke analizuar nëse kjo ishte një domosdoshmëri apo një tërheqje dëmtuese për imazhin e PDK-së, Jakupi shton:
“Mendoj se ky vendim është dëshmi e një papërgatitjeje të vazhdueshme politike dhe mungesës së një strategjie të qartë institucionale nga ana e PDK-së. Një parti që synon të jetë alternativë qeverisëse duhet t'i ketë të qarta qëndrimet e saj, sidomos për çështje kaq të ndjeshme juridike dhe politike. Nuk është serioze që fillimisht të kundërshtohet një proces, e pastaj, pas konsultimeve, të ndryshohet qëndrimi, duke e paraqitur këtë si sakrificë politike.
PDK-ja duhet ta kuptojë se besueshmëria politike nuk ndërtohet përmes vendimeve të improvizuara dhe ndryshimeve të qëndrimeve në momentet e fundit. Për më tepër, çdo iniciativë që prek rendin kushtetues dhe marrëveshjet ndërkombëtare duhet të trajtohet me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara nuk duhet të bëhen instrument i kalkulimeve partiake”.
Në lidhje me pranimin e Arian Tahirit se ky vendim i ka kushtuar politikisht PDK-së, analisti vlerëson se partia vazhdon të gjendet e kapluar nga dilema mes interesit të saj partiak dhe fatit të udhëheqësve të saj që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.
Ai këmbëngul se subjekti në fjalë duhet të ndërmarrë një reflektim më të thellë për identitetin dhe ardhmërinë e vet politike, duke u shkëputur nga praktika e lidhjes së vazhdueshme të diskursit partiak me gjykimet e individëve të caktuar.
“Kjo tregon se PDK-ja vazhdon të jetë e përfshirë tepër në një dilemë ndërmjet interesit të saj partiak dhe çështjes së udhëheqësve të saj që po përballet me proceset gjyqësore në Hagë. Problemi është se partia duket sikur ende nuk ka arritur të shkëputet politikisht nga kjo çështje dhe ta ndërtojë identitetin e saj përtej saj.
Unë mendoj se PDK-ja duhet të bëjë një reflektim shumë më të thellë. Ajo nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj politike duke u përpjekur të mbrojë udhëheqësit e saj përmes ndryshimit të ligjeve apo përmes ndërhyrjeve që mund të bien ndesh me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Mbrojtja juridike e individëve u takon institucioneve dhe procedurave ligjore, ndërsa partia duhet të merret me përgjegjësinë e saj politike dhe me të ardhmen e vendit.
Në thelb, PDK-së i duhet një kapitull i ri politik për të ecur përpara me sukses”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: