Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Rexhepi tregon çfarë nuk po funksionon në politikën e Kosovës: Nga opozita te nisma për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Redaksia Lajmetereja • 25-11-2026 15:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Rexhepi tregon çfarë nuk po funksionon në politikën e Kosovës: Nga opozita te nisma për ndryshimin e Ligjit për Specialen
Në një intervistë për “Bota sot”, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarja e NDS-së, Emilija Rexhepi, ka folur për punën e Qeverisë Kurti, sfidat në zhvillimin ekonomik dhe rolin e opozitës në Kuvend. Ajo e ka vlerësuar pozitivisht angazhimin e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit, por ka kërkuar më shumë përkushtim në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave e pensioneve. Rexhepi ka shprehur kritika ndaj opozitës, të cilën e ka cilësuar të dobët dhe të përqendruar në problemet e brendshme partiake. Ajo ka komentuar edhe nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e konsideruar të nxituar dhe jo mjaftueshëm profesionale. Një pjesë të intervistës ia ka kushtuar edhe rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt dhe punës së Komisionit Hetimor Parlamentar, ku ka ngritur shqetësime për profesionalizmin dhe përgjegjësinë e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës. Ndër të tjera, Rexhepi ka folur për pozitën e komuniteteve joshumicë, duke theksuar nevojën për barazi, përfaqësim dhe mundësi të njëjta për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Bota sot”: Si e vlerësoni punën e deritanishme të Qeverisë? A mendoni se ka arritur t'i përmbushë pritshmëritë e qytetarëve dhe në cilat fusha ka shfaqur më së shumti mangësi? Emilija Rexhepi:Mendoj se Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në përgjithësi po bën një punë të mirë. Natyrisht, konsideroj se nevojiten më shumë energji, vendosmëri dhe guxim nga disa ministra, të cilët janë pothuajse të padukshëm dhe të padëgjueshëm në publik, ndërkohë që drejtojnë dikastere shumë të rëndësishme, nga të cilat qytetarët tanë do të mund të përfitonin shumë më tepër. Është shumë e rëndësishme që lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit po japin rezultate. Për mua, rëndësi të veçantë ka edhe Ligji për prejardhjen e pasurisë, sepse konsideroj se ka ardhur koha të zbulojmë se si disa individë janë bërë milionerë dhe në çfarë mënyre e kanë krijuar pasurinë e tyre. Megjithatë, tani është koha që shumë më tepër energji të përqendrohet në zhvillimin ekonomik të shoqërisë sonë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave. Dua të theksoj veçanërisht rritjen e pensioneve, të cilën e konsideroj një nga prioritetet më të rëndësishme të shtetit. Pensionistët tanë meritojnë një jetë dinjitoze dhe mbështetje shumë më të madhe institucionale. “Bota sot”: Si e vlerësoni sjelljen e opozitës në Kuvend? A po e ushtron ajo rolin e saj kushtetues të mbikëqyrjes së Qeverisë apo në raste të caktuara po e vështirëson funksionimin normal të institucioneve? Emilija Rexhepi:Konsideroj se opozita aktualisht është shumë e dobët. Të dyja partitë opozitare kanë probleme serioze të brendshme, para së gjithash sa u përket liderëve të tyre dhe marrëdhënieve të brendshme politike. Për këtë arsye, kam përshtypjen se ato nuk janë mjaftueshëm të përqendruara në atë që duhet të jetë detyra e tyre kryesore: mbikëqyrja e punës së Qeverisë, evidentimi i mangësive të mundshme dhe propozimi i zgjidhjeve konkrete në interes të qytetarëve. Opozita duhet të ketë rolin e saj të rëndësishëm në një shoqëri demokratike, por ky rol nuk duhet të kufizohet vetëm në përplasje politike dhe probleme të brendshme partiake. “Bota sot”: Është paralajmëruar një nismë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. A e konsideroni të nevojshme një ndërhyrje të tillë ligjore dhe a do ta mbështesnit këtë nismë? Emilija Rexhepi:Konsideroj se nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është ndërmarrë në mënyrë mjaft të nxituar dhe jo sa duhet profesionale. Unë, në parim, e kam mbështetur këtë nismë, para së gjithash nga respekti për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe rolin e saj në historinë e Kosovës. Megjithatë, mbetet të shihet se si do të zhvillohet më tej ky proces dhe çfarë pasojash mund të sjellin ndryshimet eventuale ligjore. Konsideroj se ne, si deputetë të komuniteteve joshumicë, duhet të tregojmë solidaritet me kolegët tanë shqiptarë kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme, ashtu siç edhe ne kemi pritur dhe kemi pasur mbështetje gjatë votimit të Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë. Për mua, respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë ndërmjet komuniteteve janë shumë të rëndësishëm, veçanërisht kur flasim për çështje që kanë rëndësi të madhe historike dhe shoqërore. “Bota sot”: A ekziston rreziku që kjo nismë të shndërrohet në një përplasje të re politike në Kosovë dhe të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë? Emilija Rexhepi:Po, natyrisht që ekziston një rrezik i madh. Konsideroj se vendimet e pamenduara mirë dhe të përgatitura në mënyrë të pamjaftueshme mund të ndikojnë shumë negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Prandaj, është e rëndësishme që çështjeve të tilla t'u qasemi me seriozitet, profesionalizëm dhe duke shqyrtuar me kujdes të gjitha pasojat juridike dhe politike. Kosovës i nevojiten marrëdhënie të qëndrueshme me partnerët ndërkombëtarë dhe jo konfrontime të reja politike që mund ta vështirësojnë edhe më tej pozitën tonë ndërkombëtare. “Bota sot”: Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka filluar intervistimin e zyrtarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve. Si e vlerësoni punën e deritanishme të këtij komisioni? Emilija Rexhepi:Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt, për mua si grua dhe nënë, është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme dhe e dhimbshme. Nuk jam ndër ata deputetë që një tragjedi kaq të rëndë e shfrytëzojnë për marketing personal dhe paraqitje televizive. Konsideroj se femicidi përbën një nga problemet më serioze shoqërore dhe institucionale me të cilat përballemi. Javën e kaluar kemi intervistuar punonjësit e Qendrës për Punë Sociale në Pejë. Ajo që më ka shqetësuar veçanërisht është fakti se, sipas asaj që kemi dëgjuar, pothuajse të gjithë të punësuarit janë juristë dhe ekonomistë. Shtroj një pyetje plotësisht të arsyeshme: Çfarë ndihme dhe mbështetjeje sociale e psikologjike mund t'u ofrojë viktimave të dhunës dhe fëmijëve një institucion që nuk ka strukturën e duhur të kuadrove profesionale për raste kaq të ndjeshme? Që në fillim kam vërejtje serioze lidhur me profesionalizmin e veprimeve të këtij institucioni, i cili duhet të jetë një nga faktorët kyç në mbrojtjen e viktimave të dhunës. Megjithatë, do të shohim se si do të zhvillohet më tej procesi i intervistimeve dhe çfarë informacionesh do të marrim nga përfaqësuesit e institucioneve të tjera kompetente. Është ende herët për përfundime përfundimtare, por ajo që kemi dëgjuar deri më tani padyshim ngre pyetje serioze lidhur me veprimet dhe përgjegjësinë institucionale. “Bota sot”: A mendoni se institucionet kompetente po tregojnë transparencë dhe gatishmëri të mjaftueshme për bashkëpunim me komisionin, apo ekziston rreziku që disa çështje të përgjegjësisë të mbeten të pasqaruara? Emilija Rexhepi:Për momentin, konsideroj se institucionet kompetente po bashkëpunojnë me Komisionin Hetimor Parlamentar. Megjithatë, është e rëndësishme që ky bashkëpunim të vazhdojë gjatë gjithë procesit hetimor dhe që të gjitha institucionet të ofrojnë informacionet, dokumentacionin dhe përgjigjet e nevojshme për pyetjet e anëtarëve të komisionit. Qëllimi ynë nuk është të akuzojmë askënd paraprakisht, por të vërtetojmë faktet dhe mangësitë eventuale që mund të kenë kontribuar në këtë tragjedi. Konsideroj se asnjë çështje që lidhet me përgjegjësinë institucionale nuk duhet të mbetet e pasqaruar. “Bota sot”: Çfarë duhet të konstatojë ky komision që të konsiderohet se e ka përmbushur me sukses mandatin e tij? A prisni që hetimi parlamentar të identifikojë përgjegjësinë eventuale institucionale dhe të propozojë masa konkrete? Emilija Rexhepi:Duhet të intervistojmë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve, si dhe të gjithë individët që në çfarëdo mënyre janë të lidhur me këtë rast dhe veprimet e të cilëve mund të jenë relevante për hetimin. Është e nevojshme të vërtetojmë në detaje se çfarë ka ndodhur, si kanë vepruar institucionet kompetente, nëse kanë reaguar me kohë dhe pse në fund ka ardhur deri te kjo tragjedi. Konsideroj se publiku ka të drejtë ta dijë të vërtetën dhe se për të gjitha faktet e vërtetuara duhet të flasim hapur dhe me transparencë. Nëse konstatohen mangësi institucionale apo përgjegjësi të individëve, komisioni duhet t'i identifikojë qartë ato dhe të propozojë masa konkrete që raste të ngjashme të mos përsëriten. “Bota sot”: Kur mund të pritet përfundimi i punës së komisionit dhe sa të rëndësishme do të jenë rekomandimet e tij për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen? Emilija Rexhepi:Mandati i Komisionit tonë Hetimor Parlamentar zgjat gjashtë muaj dhe ne po punojmë me intensitet të lartë, pothuajse çdo ditë. Vetë fakti që ky rast është ngritur në një nivel kaq të lartë institucional tregon seriozitetin me të cilin po e trajtojmë këtë çështje dhe vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka që tragjedi të tilla të mos përsëriten më. Për mua është veçanërisht e rëndësishme që rekomandimet e komisionit të kontribuojnë në përmirësimin e punës së institucioneve, mbrojtjen më të mirë të grave dhe fëmijëve dhe reagimin më efikas në rastet e dhunës në familje. Masat ndëshkuese ndaj dhunuesve duhet të jenë të ashpra dhe vendimtare. Askush nuk ka të drejtë t'ia marrë jetën një njeriu tjetër dhe krime të tilla duhet të ndëshkohen me ashpërsinë më të madhe, në përputhje me ligjin. Duhet të tregojmë qartë se dhuna ndaj grave nuk do të tolerohet dhe se institucionet kanë detyrim të mbrojnë çdo person që ndodhet në rrezik. Shpresoj që rezultatet e punës së komisionit tonë të kontribuojnë në ndryshime konkrete dhe në parandalimin më efikas të tragjedive të tilla në të ardhmen. “Bota sot”: Si e vlerësoni pozitën dhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në institucionet e Kosovës? A mendoni se zëri i tyre po dëgjohet mjaftueshëm dhe se institucionet po u kushtojnë vëmendjen e duhur problemeve dhe shqetësimeve të tyre? Emilija Rexhepi:Pikërisht për këtë arsye jam rikthyer në Kuvend, që të flas hapur për problemet dhe sfidat me të cilat qytetarët tanë përballen çdo ditë dhe që, përmes punës së institucioneve, të angazhohem për zgjidhjen e tyre. Fatkeqësisht, ekzistojnë raste kur institucione të caktuara thjesht nuk duan t'i shohin apo t'i dëgjojnë problemet e pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë. Megjithatë, institucionet e shtetit tonë kanë detyrim ligjor dhe kushtetues që çdo qytetar ta trajtojnë në mënyrë të barabartë, pavarësisht përkatësisë së tij kombëtare, fetare apo gjuhës që flet. Komunitetet joshumicë nuk duhet të lihen pas dore kur bëhet fjalë për punësimin, arsimin, kujdesin shëndetësor, zhvillimin ekonomik dhe realizimin e të drejtave themelore qytetare. Konsideroj se detyra jonë është të vazhdojmë të ngremë zërin për problemet dhe të kërkojmë zgjidhje konkrete institucionale, e jo të lejojmë që të drejtat e komuniteteve joshumicë të mbeten vetëm në letër. Askush nuk ka të drejtë t'jua mohojë të drejtën për jetë, punë, dinjitet dhe barazi në shtetin tuaj vetëm pse i përkisni një populli që është më i vogël në numër. Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe secili duhet të ketë mundësi të barabarta, pavarësisht përkatësisë kombëtare. Ne nuk kërkojmë privilegje, por mundësi të barabarta, respektimin e të drejtave tona dhe institucione që do t'u shërbejnë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar