Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Gazetarja ukrainase për shkrimin e Kurtit në “Kyiv Post”: Njohja e Kosovës është çështje kohe, miqtë dëshmohen në ditë të vështira

Redaksia Lajmetereja • 24-11-2026 16:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Gazetarja ukrainase për shkrimin e Kurtit në “Kyiv Post”: Njohja e Kosovës është çështje kohe, miqtë dëshmohen në ditë të vështira
Gazetarja ukrainase Marina Loseva ka vlerësuar se opinioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i publikuar në gazetën ukrainase “Kyiv Post”, përbën një hap të rëndësishëm diplomatik, që mund ta rikthejë në debat çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina. Në një prononcim për “Bota sot”, Loseva ka thënë se publikimi në një medium me ndikim në Ukrainë nuk është i rastësishëm, pasi “Kyiv Post” ka audiencë të gjerë, ku përfshihen politikanë, elita kulturore, qarqe diplomatike dhe partnerë ndërkombëtarë. Megjithatë, ajo ka vlerësuar se nga ky publikim nuk duhet të priten reagime të menjëhershme zyrtare apo hapa të shpejtë politikë, pasi në qëndrimin e Kievit për njohjen e Kosovës vazhdojnë të ndikojnë disa faktorë, përfshirë luftën me Rusinë, integritetin territorial të Ukrainës dhe marrëdhëniet me Serbinë. “Autorja e kolonës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në botimin ukrainas ‘Kyiv Post’, pa dyshim e shton presionin mbi diplomacinë ukrainase dhe hap një fazë të re të debatit publik. Dhe ky debat tashmë po zhvillohet në Ballkan, si në mediat tradicionale, ashtu edhe në rrjetet sociale”, ka deklaruar Loseva. Ajo e ka cilësuar publikimin si një hap të fuqishëm diplomatik të Kosovës, me synimin që çështja e njohjes të rikthehet në vëmendjen e opinionit politik dhe kulturor ukrainas. “Besoj se kjo artikull në botimin e Kievit është një hap i fortë diplomatik nga ana e Kosovës, për të nxitur një valë të re informimi pikërisht në qarqet kulturore dhe politike të Ukrainës. Edhe platforma për këtë debat, mendoj se nuk është zgjedhur rastësisht, sepse ‘Kyiv Post’ është botimi i parë në gjuhën angleze në Ukrainë dhe audienca e tij përfshin jo vetëm politikanë ukrainas dhe elitën kulturore të vendit, por edhe qarqet diplomatike dhe partnerët e huaj. Prandaj, informacioni do të ketë jehonë të gjerë, shumë përtej kufijve të Ukrainës”, është shprehur gazetarja. Loseva ka theksuar se, sipas saj, Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke rikujtuar mbështetjen që Prishtina i ka dhënë Kievit që nga fillimi i pushtimit të plotë rus. Ajo ka thënë se kosovarët e kanë dëshmuar përkrahjen e tyre për popullin ukrainas në luftën për pavarësi dhe se kjo mbështetje duhet të vlerësohet. “Për mendimin tim, ka ardhur koha që Ukraina ta njohë Kosovën, sepse miqtë njihen në ditë të vështira dhe kosovarët e kanë dëshmuar mbështetjen e tyre të sinqertë për ukrainasit në luftën e tyre për pavarësi”, ka deklaruar ajo. Megjithatë, gazetarja ukrainase ka paralajmëruar se publikimi i Kurtit nuk duhet të krijojë pritshmëri për ndryshim të menjëhershëm të qëndrimit zyrtar të Kievit. Sipas saj, ndër pengesat kryesore vazhdojnë të jenë çështja e integritetit territorial të Ukrainës, qëndrimi i pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën dhe rreziku i ndikimit në marrëdhëniet me Serbinë. “Pas publikimit të artikullit nuk duhet të priten reagime të shpejta zyrtare apo përgjigje, e as hapa të shpejtë politikë, sepse ndër pengesat kryesore për njohjen vazhdojnë të jenë çështjet e integritetit territorial të Ukrainës, qëndrimi i pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe rreziqet e ndikimit në marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar Loseva. Loseva ka rikujtuar se, ndonëse Serbia ka marrëdhënie të afërta me Moskën, ajo vazhdon të shprehë mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe të marrë pjesë në votime për rezoluta të rëndësishme në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas saj, në qarqet politike ukrainase ekziston shqetësimi se njohja e Kosovës në kohën kur vendi është në luftë mund ta shtyjë udhëheqjen serbe të rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj Ukrainës, përfshirë çështjen e Krimesë dhe Donbasit. “Vlerësimet e vëzhguesve politikë ukrainas janë se njohja e Kosovës nga Kievi pikërisht tani, gjatë luftës, mund ta shtyjë udhëheqjen serbe të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Ukrainës dhe ndaj Krimesë e Donbasit”, ka thënë ajo. Loseva ka bërë të ditur se, deri më tani, politikanët ukrainas nuk kanë reaguar ndaj shkrimit të ri të kryeministrit Kurti, por ka rikujtuar se kjo çështje kishte nxitur debat në Kiev edhe në gusht të vitit 2026, pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd. Në atë kohë, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko e kishte cilësuar mosnjohjen e Kosovës si “gabim diplomatik”. Një nga pengesat kryesore për njohjen e Kosovës nga Ukraina, sipas Losevës, lidhet me strategjinë diplomatike të Kievit për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit. Ajo ka shpjeguar se diplomacia ukrainase e mbështet strategjinë ndërkombëtare për çlirimin e Krimesë dhe Donbasit në parimin e integritetit territorial të shteteve, të garantuar nga Karta e OKB-së. “Diplomacia ukrainase e ndërton të gjithë strategjinë e saj ndërkombëtare për çlirimin e Krimesë dhe Donbasit mbi përparësinë e pakushtëzuar të integritetit territorial të shteteve, të përcaktuar në Kartën e OKB-së. Sipas zyrtarëve ukrainas dhe juristëve të së drejtës ndërkombëtare, njohja e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, edhe duke marrë parasysh kontekstin e saj unik historik, mund të krijojë cenueshmëri në këtë qëndrim juridik”, ka deklaruar Loseva. Ajo ka theksuar se ky qëndrim i Ukrainës përkon me arsyet që kanë pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian për mosnjohjen e Kosovës: Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Sipas saj, secili prej këtyre shteteve ka arsyet e veta të brendshme dhe historike. “Spanja ka frikë se njohja e Kosovës mund të krijojë një precedent për lëvizjet e saj separatiste, para së gjithash në Katalonjë dhe në vendin bask. Madridi e konsideron shpalljen e njëanshme të pavarësisë si antikushtetuese”, ka shpjeguar ajo. Për Qipron, Loseva ka rikujtuar ndarjen e ishullit që nga viti 1974, pas ndërhyrjes turke dhe ekzistencës së Republikës Turke të vetëshpallur të Qipros Veriore, e cila njihet vetëm nga Turqia. “Greqia solidarizohet me Qipron në çështjen e integritetit territorial dhe tradicionalisht mbështet lidhje të ngushta historike, kulturore dhe fetare me Serbinë”, ka thënë gazetarja. Ndërkaq, për Rumaninë ajo ka përmendur shqetësimet për forcimin e tendencave autonomiste në mesin e pakicës së madhe hungareze në Transilvani, veçanërisht në rajonin e Sekelit. “Pozicioni i Sllovakisë lidhet kryesisht me praninë e një pakice të konsiderueshme hungareze në jug të vendit”, ka shtuar ajo. Loseva ka rikujtuar se, përtej pesë vendeve të BE-së, Kosovën nuk e njohin as disa shtete të tjera evropiane, përfshirë Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Bosnjë-Hercegovinën, Rusinë dhe Bjellorusinë. Megjithatë, ajo ka theksuar se mosnjohja formale nga pesë shtetet e BE-së nuk nënkupton izolimin e Kosovës, pasi ato mbajnë kontakte praktike me institucionet e Kosovës, njohin pasaportat e saj dhe marrin pjesë në mekanizma të përbashkët evropianë. “Në praktikë, kjo funksionon sipas parimit të ‘mosnjohjes pa izolim’. Më 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës fituan të drejtën për udhëtime pa viza në zonën Shengen, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore”, ka deklaruar ajo. Ndërsa, për dallim nga këto shtete, sipas Losevës, Ukraina vazhdon të mbajë një qëndrim më të rezervuar ndaj Kosovës. “Kievi ende nuk i njeh zyrtarisht pasaportat e Kosovës. Për hyrjen e qytetarëve të Kosovës në Ukrainë kërkohet miratim i posaçëm dhe pajisje me vizë në një fletë të veçantë, e jo në pasaportë. Edhe qytetarët ukrainas udhëtojnë drejt Kosovës përmes sistemit të vizave. Po ashtu, Ukraina nuk ka zyrë ndërlidhëse në Prishtinë”, ka bërë të ditur ajo. Megjithatë, brenda Ukrainës ekziston një debat për rishikimin e kësaj qasjeje. Një pjesë e deputetëve dhe ekspertëve kërkojnë ndryshim të qëndrimit, duke marrë parasysh mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe sanksionet që Prishtina ka vendosur ndaj Rusisë. “Megjithatë, në vetë Ukrainën vazhdon debati për këtë çështje. Një pjesë e deputetëve dhe ekspertëve mbështesin rishikimin e kësaj qasjeje, duke marrë parasysh qëndrimin pro-ukrainas të Kosovës dhe sanksionet antiruse të Prishtinës, por linja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme deri më tani mbetet e pandryshuar”, ka thënë Loseva. Gazetarja e ka vlerësuar të rëndësishme që zërat e politikanëve të Kosovës të dëgjohen në hapësirën publike ukrainase, pasi kjo mund të ndikojë në opinionin publik dhe të afrojë dy popujt. “Prandaj është shumë e rëndësishme që në hapësirën informative të Ukrainës të dëgjohen zërat e politikanëve të Kosovës. Kjo do ta afrojë dhe ndryshojë opinionin publik dhe do t'i afrojë popujt tanë”, është shprehur gazetarja. Duke folur për mundësinë që Ukraina ta njohë Kosovën në kohën kur vazhdon lufta me Rusinë, Loseva ka thënë se, pavarësisht dallimeve të qarta mes rastit të Kosovës dhe aneksimit të Krimesë, një vendim i tillë mund të shfrytëzohet nga propaganda ruse. Ajo ka theksuar se Kosova ka kaluar nëpër një proces të veçantë historik dhe ka marrë mbështetje ndërkombëtare, ndërsa Krimea është aneksuar nga Rusia. “Populli i Kosovës luftoi për pavarësinë e tij dhe për këtë arsye mori mbështetjen e OKB-së, ndërsa Krimea u aneksua. Dallimi është i qartë. Por, le të supozojmë se Ukraina e njeh Kosovën pikërisht tani. Kjo do t'i japë propagandës ruse një arsye për ta akuzuar Kievin për standarde të dyfishta në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit të vet, veçanërisht në lidhje me Krimenë dhe Donbasin”, ka deklaruar ajo. Sipas gazetares, propaganda ruse nuk do të merret me analizimin e dallimeve historike dhe juridike mes këtyre dy rasteve, por do ta përdorë këtë vendim për të sulmuar qëndrimin e Ukrainës. “Makineria propagandistike ruse nuk do të merret me analizimin e hollësive të kësaj çështjeje. Prandaj, derisa tokat ukrainase të jenë nën okupimin e përkohshëm të Federatës Ruse, diplomacia ukrainase do të përmbahet nga hapat drejt njohjes së Kosovës”, ka theksuar Loseva. Megjithatë, ajo nuk e përjashton mundësinë që ky qëndrim të ndryshojë pas përfundimit të luftës dhe rikthimit të paqes në Ukrainë. “Por situata mund të ndryshojë pasi në Ukrainë të vendoset sërish paqja dhe ne ta ruajmë tërësinë dhe pavarësinë tonë”, ka thënë ajo. Një pjesë të rëndësishme të përgjigjeve të saj, Loseva ia ka kushtuar mbështetjes që Kosova i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, duke e cilësuar atë si dëshmi të vërtetë të partneritetit dhe miqësisë mes dy vendeve. Ajo ka përmendur ndihmat konkrete për ushtrinë ukrainase, dërgimin e automjeteve të blinduara, armëve dhe municionit, strehimin e gazetarëve ukrainas dhe të refugjatëve, si dhe trajnimin e ushtarëve dhe çminuesve. “Që nga ditët e para të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Kosova u rreshtua pikërisht në anën e Ukrainës dhe kjo është e paçmueshme. Ky është një manifestim i partneritetit dhe miqësisë së vërtetë mes dy vendeve dhe një hap drejt njohjes së ardhshme të Kosovës dhe bashkëpunimit paqësor”, ka deklaruar ajo. “Deri më tani, Ukrainës i janë dërguar dhjetëra automjete të blinduara për Forcat e Armatosura të Ukrainës, armë dhe municion. Po ashtu, u është ofruar strehim 20 gazetarëve ukrainas, ndërsa vendi vazhdon të strehojë të gjithë refugjatët ukrainas. Gjithashtu, po zhvillohet trajnimi i ushtarëve ukrainas dhe i specialistëve të çminimit. Këto janë veprime konkrete mbështetëse, të cilat flasin qartë se miqtë e vërtetë njihen në ditë të vështira”, ka theksuar Loseva. Loseva ka rikujtuar se ukrainasit e përjetojnë çdo ditë dhimbjen e luftës, e cila po vazhdon që nga viti 2014. Viktima janë si ushtarët në vijën e frontit, ashtu edhe civilët në shtëpitë e tyre, të cilët përballen me sulmet e përditshme raketore dhe me dronë të ushtrisë ruse. “Lufta po vazhdon dhe po zgjat shumë, që nga viti 2014. Çdo ditë vdesin njerëz në Ukrainë, si mbrojtësit në vijën e frontit, ashtu edhe qytetarët e pafajshëm në shtëpitë e tyre nga sulmet e përditshme me raketa dhe dronë të ushtrisë ruse. Gjithçka mund të rregullohet, përveç jetëve të humbura të njerëzve”, ka deklaruar ajo. Duke bërë një krahasim mes përvojës së Ukrainës dhe asaj të Kosovës, gazetarja ka thënë se kosovarët e kuptojnë më mirë se shumë të tjerë dhimbjen e një populli që përjeton luftën dhe humbjen e njerëzve të dashur. “Dhe kosovarëve nuk ka nevojë t'ua shpjegosh këtë, sepse kanë kaluar gati tri dekada nga lufta, por nënat edhe sot çdo mbrëmje vendosin në tryezë pjata të zbrazëta, sepse presin që fëmijët dhe bashkëshortët e tyre të kthehen nga lufta. Por ata nuk do të kthehen më kurrë te familjet e tyre, sepse jetën ua mori lufta e viteve 1998-1999”, ka thënë Loseva. Ajo ka vlerësuar se përfundimi i luftërave dhe zgjidhja e çështjeve të hapura kërkojnë kohë, negociata dhe punë diplomatike, duke shtuar se edhe çështja e njohjes së Kosovës nga Ukraina duhet të trajtohet si proces politik që mund të zgjidhet gradualisht. “Të gjitha luftërat përfundojnë në tryezat e negociatave, ndërsa diskutimet diplomatike mund të arrijnë marrëveshje që, në fund, i kënaqin të dyja palët. Prandaj, edhe çështja e njohjes së Kosovës është çështje politike, e cila do të zgjidhet hap pas hapi”, ka theksuar ajo. Gjithashtu, Loseva ka vlerësuar mesazhin e kryeministrit Albin Kurti për të ardhmen e përbashkët evropiane të Kosovës dhe Ukrainës, duke theksuar se të dyja vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe kanë objektiva të përbashkëta në zhvillimin e demokracisë dhe ndërtimin e paqes. “Asaj që ka thënë Albin Kurti për të ardhmen e përbashkët evropiane të vendeve tona i bashkohem edhe unë, sepse edhe Kosova, edhe Ukraina synojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Të dyja vendet janë të ngjashme në qëllimet e tyre për zhvillimin e demokracisë dhe ndërtimin e paqes. Të dy popujt tanë e njohin nga përvoja e tyre historike çmimin e paqes”, ka deklaruar gazetarja. Ajo ka thënë se rruga drejt njohjes së Kosovës kërkon punë të vazhdueshme diplomatike, por ka shprehur bindjen se përpara dy vendeve ekziston mundësia e afrimit dhe bashkëpunimit më të madh. “Deri te njohja e Kosovës ka mbetur edhe një hap, dhe ky është një hap paqësor. Aktualisht, Ukraina u është mirënjohëse të gjithëve për mbështetjen në luftën për pavarësinë e saj, sepse duhet të qëndrojë dhe ta ruajë tërësinë e vet territoriale. Prandaj, përpara të dy vendeve tona qëndron një punë e madhe dhe e mundimshme diplomatike drejt njohjes së Kosovës, por gjithashtu na pret një e ardhme e përbashkët evropiane”, ka thënë ajo. Në fund, Loseva ka bërë thirrje që çështja të mos shndërrohet në debat të nxitur nga propaganda dhe emocionet, por të trajtohet përmes dialogut dhe punës së sinqertë diplomatike. “Prandaj, të mos nxitojmë me përfundime, të mos biem pre e metodave propagandistike që me gjuhën e urrejtjes i nxisin me mjeshtëri emocionet njerëzore, por thjesht të punojmë sinqerisht, secili në nivelin e vet, drejt afrimit, njohjes dhe paqes mes vendeve tona. Lavdi Ukrainës! Rroftë Kosova!”, ka përfunduar gazetarja ukrainase Marina Loseva për "Bota sot".
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar