Kronikë
Falsifikuan mbi 2 mijë vota në Gjakovë, dënohen me nga 3 mijë euro gjobë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar 2 persona për falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur fajtorë të pandehurit A.M. dhe D.K., duke i dënuar me nga 3 mijë euro gjobë për keqpërdorimin e gjithsej 2,023 votave të kandidatëve për deputetë, transmeton KosovaPress.
Aktgjykimi është shpallur pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë ndërmjet Prokurorisë dhe të pandehurve, të cilën e ka miratuar gjyqtari Samedin Cena.
Sipas njoftimit të gjykatës, dënimi prej 6 muajsh burgim është zëvendësuar me gjobë, ndërsa të dënuarit obligohen ta paguajnë atë brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, A.M., nga 29 dhjetori 2025 deri më 1 janar 2026, në Qendrën Komunale të Numërimit, në palestrën e sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë, në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave, kishte manipuluar rezultatet në 9 komisione.
Ai u kishte shtuar kandidatëve për deputetë 428 vota dhe u kishte hequr 682 të tjera, duke keqpërdorur gjithsej 1,110 vota.
Ndërkaq, D.K., në kohën dhe vendin e njëjtë, kishte manipuluar rezultatet në 6 komisione, duke u shtuar kandidatëve 422 vota dhe duke u hequr 491 të tjera, përkatësisht duke keqpërdorur gjithsej 913 vota.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: