Aktuale
Kush do ta pasojë Bashkim Jasharin në krye të FSK-së dhe si bëhet emërimi?
Reklamë e Sponsorizuar
Publikuar më:
Komandantit Bashkim Jashari i përfundon mandati më 30 nëntor, ndërsa ligji nuk ia mundëson riemërimin për një mandat të dytë.Bashkim Jashari
Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit më 30 nëntor të këtij viti i përfundon mandati pesëvjeçar në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa legjislacioni në fuqi nuk ia mundëson riemërimin për një mandat të dytë.
Jashari ishte emëruar komandant i FSK-së më 30 nëntor të vitit 2021 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Rrahman Rama.
Kohëzgjatja e mandatit dhe kufizimi i së drejtës për riemërim përcaktohen në nenin 21, paragrafin 7, të Ligjit nr. 06/L-123 për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Komandanti i FSK-së emërohet me një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Mandati i Komandantit të FSK-së fillon ditën e përfundimit të mandatit të Komandantit paraprak”, thuhet në ligj.
Bazuar në këtë dispozitë ligjore, Jasharit i kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri në përfundimin e mandatit, ndërsa emërimi i pasardhësit të tij kërkon përfshirjen e tri instancave institucionale.
Si emërohet komandanti i ri i FSK-së?
Procedura për emërimin e komandantit të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës kalon nëpër ministrinë e Mbrojtjes, kryeministrin dhe presidentin. Kjo procedurë rregullohet përmes Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjit për ministrinë e Mbrojtjes.
Procedura për emërimin e komandantit të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës nis me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili i propozon kryeministrit Albin Kurti një kandidat për këtë pozitë.
Në bazë të propozimit të ministrit, kryeministri i rekomandon presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, emërimin e kandidatit për komandant të FSK-së.
Vendimi përfundimtar për emërimin e komandantit i takon presidentes, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, presidentja duhet të marrë vendim brenda 30 ditëve kalendarike nga dita e paraqitjes së propozimit.
Komandanti i ri do të ketë mandat pesëvjeçar, pa të drejtë riemërimi. Ky mandat, sipas përcaktimit ligjor, fillon në ditën e përfundimit të mandatit të komandantit paraprak.
Ligji përcakton gjithashtu se kandidati për komandant të FSK-së duhet ta ketë mbajtur gradën e gjeneralmajorit për së paku 12 muaj.
Komandanti i FSK-së është autoriteti më i lartë ushtarak në gradë dhe detyrë, ushtron komandë të plotë mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe është përgjegjës për drejtimin, stërvitjen dhe mbikëqyrjen e saj.
Me përfundimin e mandatit të Bashkim Jasharit më 30 nëntor, institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë vazhdimësinë e udhëheqjes së FSK-së, përmes emërimit të komandantit të ri, në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: