Kronikë
Katër persona ndalohen për 48 orë lidhur me vra*sjen e Arlinda Zekajt
Reklamë e Sponsorizuar
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se katër persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në rastin e vrasjes së A.Z-së.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, ndalimi i tyre është bërë pas veprimeve intensive hetimore, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të prokurorit të Shtetit.
Dy nga personat e ndaluar, me inicialet N.S. dhe D.S., dyshohen për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.
Ndërkaq, dy personat e tjerë, me inicialet M.P. dhe G.B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Në komunikatën e përbashkët bëhet e ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, të cilat, sipas organeve të drejtësisë, mbështesin dyshimin e bazuar se personat e ndaluar kanë qenë të përfshirë në veprat penale për të cilat dyshohen.
Po ashtu, në kuadër të procedurës penale, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të vrasjes.
Policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se brenda afatit ligjor, prokurori i Shtetit do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: