Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Paketa kundër pastrimit të parave kalon në Qeveri, hap rruga drejt standardeve të BE-së dhe SEPA-s

Redaksia Lajmetereja • 30-09-2026 09:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Paketa kundër pastrimit të parave kalon në Qeveri, hap rruga drejt standardeve të BE-së dhe SEPA-s
Ekzekutivi i Kosovës ka dhënë sërish dritën jeshile për Projektligjin që synon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti theksoi se këto ndryshime bëhen me qëllim të përafrimit të plotë të legjislacionit vendor me normat ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian. “Projektligj synon harmonizimin e mëtejmë të legjislacionit të Kosovës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me standardet e FATF-së (Financial Action Task Force) dhe të Bashkimit Evropian. Përmes tij forcohen masat parandaluese, transparenca, kompetencat institucionale dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ndryshimet gjithashtu adresojnë kërkesat për avancimin e procesit të Bankës Qendrore të Kosovës drejt anëtarësimit në SEPA (Single Euro Payments Area) dhe mbështesin procesin e integrimit evropian”, u shpreh Kurti. Nga ana e tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, e vlerësoi këtë vendim si barrierën e fundit ligjore që i hap dyert Kosovës për t'u anëtarësuar në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). “Siç e përmendi edhe kryeministri, pra bëhet fjalë për ligjin apo pikën e fundit, kushtin e fundit i cili duhet të kalohet, pra të miratohet nga Kuvendi, në mënyrë që ne t’i plotësojmë të gjitha kushtet sa i përket anëtarësimit tonë në SEPA. Pra, anëtarësim i cili do të mundësojë uljen e tarifave për transferat ndërkombëtare, pra edhe kursime dhjetëramilionëshe apo, më saktë, 58 milionë euro në vit tarifa bankare për transferat ndërkombëtare që paguajnë bizneset tona, por edhe bashkatdhetarët tanë pra për të transferuar remitancat në Kosovë”, tha Murati. Sipas kreut të financave, kjo është hera e tretë që ky draft-ligj kalon nëpër filtrat e Qeverisë, pasi përpjekjet e kaluara nuk kishin arritur të finalizoheshin me sukses për shkak të zhvillimeve politike dhe procedurale. “Siç edhe ju e dini, është hera e tretë pra që po procedohet ky ligj në mbledhje të Qeverisë. Dy herë të kaluara pra ishte proceduar në Kuvend. Herën e parë kishte kaluar në Kuvend, por që Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar për shkaqe procedurale, pra në miratimin e seancës në fund të vitit 2024 që është bërë. Herën e dytë ishte pra këtë vit, pra në mandatin e kaluar të Kuvendit, në legjislaturën e kaluar, arriti të kalojë në leximin e parë, mirëpo leximi i dytë nuk arriti të përmbushet meqenëse Kuvendi u shpërnda”, shtoi ai. Duke e dërguar sërish dokumentin në procedurë parlamentare, ministri Murati bëri thirrje për një angazhim serioz nga ana e deputetëve që kësaj radhe ligji të votohet përfundimisht. “Pra, kjo është hera e tretë dhe po e procedojmë edhe një herë, dhe nuk do t’i shkoja më gjatë meqenëse të gjithë e dini, pra jeni të njoftuar me projektligjin. Dhe nuk po marr më shumë kohë meqenëse ka edhe pika të tjera, prandaj ju ftoj për miratim dhe shpresoj që kësaj radhe Kuvendi të kryejë punën e vet dhe ta miratojë këtë ligj në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të kursejnë në tarifat për transferat ndërkombëtare”, përfundoi Murati. Votimi dhe miratimi i këtij projektligji në Kuvend tashmë mbetet hapi vendimtar për përmbushjen e të gjitha kritereve që i mundësojnë vendit integrimin e plotë në sistemin SEPA.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar