Sport
Kusari-Lila prezanton potencialin ekonomik të Kosovës në Frankfurt: Investimet e huaja kalojnë 1 miliard euro
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës para përfaqësuesve të qeverive, institucioneve dhe investitorëve ndërkombëtarë, në edicionin e 11-të të Investment Management Exhibition (IME 2026), që po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë.
Përmes një postimi, Kusari-Lila ka thënë se Kosova po synon të shndërrohet në një destinacion strategjik për investime, duke theksuar se zhvillimi ekonomik i vendit po mbështetet në themelet e krijuara pas rindërtimit të pasluftës dhe konsolidimit demokratik.
Ajo ka bërë të ditur se për herë të parë investimet e huaja direkte në Kosovë kanë kaluar shifrën prej një miliard eurosh.
Sipas saj, në vend janë mbi 53 mijë biznese aktive dhe 426 mijë vende pune të regjistruara, ndërsa sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) ka arritur rreth 400 milionë euro eksporte.
Kusari-Lila ka theksuar se prioritetet strategjike të ministrisë janë fuqizimi i prodhimit vendor, zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme dhe rritja e eksporteve, me synim transformimin e strukturës së ekonomisë së Kosovës.
Duke folur për mundësitë që ofron vendi për investitorët e huaj, ministrja ka veçuar fuqinë punëtore të re dhe të kualifikuar, tatimin në fitim prej 10 për qind, mundësinë e pronësisë 100 për qind të huaj, përdorimin e euros dhe lehtësimin e pagesave ndërkombëtare përmes integrimit në SEPA.
Ajo ka përmendur edhe raportin e fundit të Gallupit për vitin 2026, sipas të cilit Kosova renditet e pesta në botë për siguri dhe rend publik.
Një vëmendje të veçantë, Kusari-Lila i ka kushtuar edhe bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, të cilën e ka cilësuar si një nga partnerët dhe investitorët më të rëndësishëm të Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se rreth 200 kompani me kapital gjerman tashmë operojnë në Kosovë, duke theksuar se pjesëmarrja në Frankfurt vjen si vazhdimësi e angazhimit për tërheqjen e investimeve të reja, krijimin e partneriteteve dhe integrimin e bizneseve kosovare në zinxhirët evropianë të vlerës.
Në fund, ministrja ka theksuar se Kosova është e hapur për investime dhe partneritete afatgjata, me synimin që të jetë pjesë aktive e zhvillimeve ekonomike evropiane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: