Politikë
Kusari-Lila prezanton potencialin ekonomik të Kosovës në Frankfurt, thotë se investimet e huaja kanë kaluar 1 miliard euro
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës në edicionin e 11-të të Panairit të Menaxhimit të Investimeve (Investment Management Exhibition – IME 2026), që po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë.
Ajo ka theksuar se investimet e huaja direkte në Kosovë kanë kaluar për herë të parë shifrën prej një miliard eurosh, ndërsa vendi numëron mbi 53 mijë biznese aktive dhe 426 mijë vende të regjistruara të punës.
Sipas saj, sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) ka arritur rreth 400 milionë euro eksporte.
“Sot, nga Frankfurti, në edicionin e 11-të të Investment Management Exhibition (IME 2026), pata kënaqësinë të prezantoj vizionin e ri ekonomik të Republikës së Kosovës para përfaqësuesve të qeverive, institucioneve dhe investitorëve ndërkombëtarë. Kosova është një ekonomi në zhvillim e orientuar kah e ardhmja evropiane, e gatshme të shkruajë kapitullin e radhës të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Rrugëtimi ynë, nga rindërtimi i pasluftës te konsolidimi demokratik, ka krijuar themele të forta mbi të cilat sot po ndërtojmë rezultate konkrete ekonomike. Për herë të parë, investimet e huaja direkte kanë kaluar shifrën prej 1 miliard eurosh. Kemi mbi 53,000 biznese aktive dhe 426,000 vende pune të regjistruara. Sektori i TIK-ut dëshmon potencialin tonë konkurrues me rreth 400 milionë euro eksporte. Ndërkohë, si Ministri, fokusin tonë strategjik e kemi orientuar drejt fuqizimit të prodhimit vendor, zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme dhe rritjes së eksporteve, me synim transformimin e strukturës së ekonomisë sonë”, tha Kusari.
Duke folur për mundësitë që Kosova u ofron investitorëve të huaj, ajo ka përmendur fuqinë punëtore të re dhe të kualifikuar, tatimin në fitim prej 10 për qind, mundësinë e pronësisë 100 për qind nga investitorët e huaj dhe përdorimin e euros.
Ministrja i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, duke bërë të ditur se rreth 200 kompani me kapital gjerman tashmë operojnë në Kosovë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: