Sport
Debutimi historik me kuqezinjtë dhe synimi i madh, Qefalija: Në Finlandë vazhdojmë rrugën drejt kreut
Reklamë e Sponsorizuar
Mesfushori i Dinamos, Klevi Qefalija, ka jetuar momente të paharrueshme në karrierën e tij, pasi ka regjistruar paraqitjen e tij të parë me fanellën e Kombëtares kuqezi në takimin e fituar 0-3 ndaj San Marinos. Ai fitoi besimin e trajnerit Rolando Maran, i cili jo vetëm që e grumbulloi për këtë sfidë, por i dha edhe mundësinë e artë të zbriste në fushë si debutues.
I pyetur pas përfundimit të ndeshjes, talenti i mesfushës nuk i fshehu dot emocionet e forta të përjetuara. "Është një ndjenjë e papërshkruar. Jam shumë i lumtur që kam debutuar me fanellën e Kombëtares dhe shpresoj të kem bërë më të mirën. Dua të falënderoj stafin teknik për besimin që më ka dhanë dhe çunat e skuadrës për mbështetjen. Dëshira ishte shumë e madhe që të debutoja", – u shpreh Qefalija për paraqitjen e tij të parë zyrtare.
Gjatë prononcimit të tij, lojtari analizoi gjithashtu fitoren e arritur dhe hodhi shikimin te përballja e radhës që do të zhvillohet në tokën finlandeze. "Ishte një ndeshje e vështirë do të thosha. Nuk ka më ndeshje të lehta dhe fusha na e bëri akoma më të vështirë, por e rëndësishme është që ne morëm 3 pikët dhe e mbyllëm me fitore", u shpreh ai.
Duke folur për sfidën e ardhshme, Qefalija theksoi rëndësinë e vazhdimësisë dhe synimet e qarta të grupit. "Tani do të nisim menjëherë përgatitjet për ndeshjen e Finlandës, që do të jetë shumë e vështirë. Ne do të bëjmë gjithçka për të marrë maksimumin dhe për të vazhduar në rrugën që kemi nisur për të kapur vendin e parë në grup", deklaroi mesfushori i Dinamos.
Kombëtarja shqiptare aktualisht mban kreun e grupit të saj, falë dy fitoreve të regjistruara në po aq ndeshje të zhvilluara. Dueli i ardhshëm merr një peshë specifike dhe vendimtare, pasi kuqezinjtë do të matin fuqitë me rivalin direkt për vendin e parë, Finlandën. Pas këtij transferti delikat, përfaqësuesja jonë do të kthehet në shtëpi për të pritur sërish San Marinon, sfidë e cila do të luhet në impiantin modern “Air Albania”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: