Politikë
Paketë financiare mbi 270 milionë euro nga BE-ja: Qeveria e Kosovës i hap rrugë marrëveshjeve të reja IPA
Reklamë e Sponsorizuar
Kabineti qeveritar ka dhënë dritën jeshile për projektligjet që lidhen me ratifikimin e akteve financiare të Bashkimit Evropian për paketat e programeve IPA 2021, IPA 2022, si dhe për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Gjatë seancës së fundit të ekzekutivit, po ashtu u be i mandatuar edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit të parë që i përket Marrëveshjes Financiare ndërmjet vendit tonë dhe BE-së për programin IPA 2021.
Kreu i qeverisë, Albin Kurti, theksoi se ky ndryshim hap rrugën për vazhdimin e proceseve kontraktuale dhe thithjen e fondeve në vlerë prej 22.2 milionë eurosh.
“Amandamenti i marrëveshjes financiare për programin IPA 2021 krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Zgjatja e periudhës së zbatimit e mundëson vijimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 22.2 milionë eurosh. Me ratifikimin e këtij amandamenti krijojmë bazën e nevojshme që kjo mbështetje financiare të shfrytëzohet për qëllimet e përcaktuara dhe të sjellë përfitime konkrete për qytetarët”, u shpreh Kurti.
Në të njëjtën mbledhje, zyrtarët qeveritarë votuan pro edhe për Projektligjin që ratifikon Amendamentin Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian për programin IPA 2022.
Sipas kryeministrit, ky zhvillim krijon parakushtet e duhura për kontraktimin dhe disburimin e 55.7 milionë eurove mbështetje nga Brukseli.
“Me amandamentin për programin IPA 2022 krijojmë kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 55.7 milionë eurosh të mbështetjes së Bashkimit Evropian. Zgjatja e afateve u mundëson institucioneve të përmbushin procedurat e nevojshme dhe të vijojnë me realizimin e projekteve të planifikuara, me synim që të njëjtat të shfrytëzohen plotësisht dhe të kthehen në investime që u shërbejnë nevojave të vendit dhe qytetarëve”, theksoi ai.
Veç këtyre, kabineti qeveritar miratoi gjithashtu Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Ky program strategjik parasheh zhvillimin e nismave me një kosto totale prej 193 milionë e 856 mijë eurosh.
“Programi shumëvjeçar IPA 2026-2027 mbështet realizimin e projekteve në vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh. Kjo paketë përfshin rreth 180.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian, 9 milionë euro bashkëfinancim nga qeveria, 1.8 milion euro nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe 2.5 milionë euro nga partnerët e tjerë zhvillimorë. Ratifikimi i marrëveshjes financiare i hap rrugë fillimit të zbatimit të programit. Institucionet përgjegjëse duhet të përqendrohen në përgatitjen dhe realizimin e projekteve që ky financim të shfrytëzohet plotësisht sipas prioriteteve të përcaktuara”, përfundoi Kurti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: