Sport
Kosova blen gati 700 milionë euro mallra vetëm për një muaj, deficiti tregtar arrin në 575 milionë euro
Reklamë e Sponsorizuar
Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 699,3 milionë eurosh gjatë tetorit 2026, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm 124,2 milionë euro.
Sipas raportit të publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar ka arritur në 575,1 milionë euro, duke shënuar rritje prej 8,5% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, kur ishte 530 milionë euro, raporton KosovaPress.
Megjithatë, eksportet kanë shënuar rritje të konsiderueshme prej 35,3%, ndërsa importet janë rritur për 12,5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Të dhënat tregojnë se eksportet mbulojnë vetëm 17,8% të importeve, duke dëshmuar se Kosova vazhdon të ketë varësi të lartë nga mallrat e importuara.
Sa u përket produkteve që Kosova eksporton më së shumti, metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbëjnë 23,3% të eksporteve, të ndjekura nga produktet minerale me 20,6%, plastika dhe goma me 10,7%, si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 8,7%.
Në anën tjetër, produktet minerale përbëjnë 18,6% të importeve, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike 12,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 11,5%, ndërsa mjetet e transportit 11%.
Shqipëria, partneri kryesor i Kosovës për eksporte në rajon
Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s kanë arritur në 65,9 milionë euro, duke përbërë 53,1% të eksporteve të përgjithshme.
Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, eksportet drejt këtyre vendeve janë rritur për 66,4%.
Shqipëria renditet e para ndër partnerët e CEFTA-s për eksportet e Kosovës, me 28,7% të eksporteve të përgjithshme, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 11,4%, Serbia me 6,7% dhe Mali i Zi me 4,2%.
Ndërkohë, importet nga vendet e CEFTA-s kanë arritur në 84,7 milionë euro, me rritje prej 12,3%.
Gjermania dhe Kina ndër partnerët kryesorë tregtarë
Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian kanë arritur në 35,3 milionë euro, ose 28,5% të eksporteve të përgjithshme.
Gjermania është partneri kryesor i Kosovës për eksporte në BE, me 9,5% të totalit, e ndjekur nga Holanda me 2,9% dhe Italia me 2,2%.
Ndërkaq, importet nga Bashkimi Evropian kanë arritur në 283,6 milionë euro, duke përbërë 40,6% të importeve të përgjithshme.
Nga vendet e BE-së, Kosova ka importuar më së shumti nga Gjermania, me 12,8% të importeve të përgjithshme, Greqia me 5,7% dhe Italia me 4,5%.
Në grupin e vendeve të tjera, Kina zë vendin kryesor për importe me 15,5% të totalit, e ndjekur nga Turqia me 10,6%.
Mund të lexoni edhe grafikonin: Imporetet dhe eksportet e Kosovës gjatë muajve janar-tetor 2026 dhe krahasimi me periudhën e njëjtë janar-tetor 2025
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: