Kronikë
Akuzat për evazion fiskal, Prokuroria dërgon në gjyq këngëtaren Xhensila Myrtezaj
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka finalizuar hetimet ndaj këngëtares Xhensila Myrtezaj (Kallaku), duke e dërguar atë për gjykim nën akuzën e fshehjes së të ardhurave. Sipas organit të akuzës, artistja dyshohet se ka shmangur detyrimet tatimore në mënyrë të përsëritur, duke mos deklaruar të ardhurat reale dhe duke kryer lëvizje financiare me burime të pambuluara.
Në dosjen hetimore të procedimit penal nr. 5824/2024, thuhet se këngëtarja është përfshirë në transaksione të pasurive të paluajtshme, si dhe në depozitime e tërheqje të konsiderueshme të parave “cash”, të cilat nuk përputhen me të ardhurat e saj të deklaruara zyrtarisht. Për të justifikuar këto shuma, ajo ka dorëzuar një shkresë të thjeshtë ku pretendon se fitimet rrjedhin nga koncertet e mbajtura brenda dhe jashtë vendit, por provat e paraqitura janë vlerësuar si të pamjaftueshme nga hetuesit.
Ekspertimi kontabël i urdhëruar nga Prokuroria ka nxjerrë në pah një evazion fiskal të konsiderueshëm. Për vitin 2023, shuma e shmangur nga detyrimet tatimore llogaritet në 2 417 311 lekë, ndërsa për vitin 2024, kjo shifër kap vlerën e 3 658 210 lekëve. Në total, dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit përllogaritet mbi 6 milionë lekë.
Bazuar në këto gjetje, Prokuroria vlerëson se vepra penale është konsumuar në dy vite kalendarike të ndryshme, duke e bërë atë një shkelje të përsëritur. Për rrjedhojë, çështja tashmë i ka kaluar gjykatës, ku këngëtarja do të përgjigjet për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: