Kronikë
Kriza presidenciale, Kurti bën thirrje për konsensus politik: Të ulemi bashkë, zgjedhjet janë të panevojshme
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lëshuar një thirrje urgjente për arritjen e një pakti të ri politik që i hap rrugë zgjedhjes së shefit të shtetit, duke theksuar se Kosova ndodhet përballë një momenti kritik pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas këtij aktgjykimi, afati kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit të vendit mbyllet zyrtarisht më 6 tetor 2026.
Gjatë mbledhjes së ekzekutivit, kreu i qeverisë vuri në dukje se marrëveshja e mëparshme e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) është prishur, pasi gjashtë deputetë të këtij subjekti politik refuzuan ta mbështesin atë, pavarësisht se ajo gëzonte mbështetjen e kryesisë së partisë së tyre.
“Aktgjykimi i Kushtetueses i cili prodhoi një normë të re lidhur me rrjedhjen e afatave për zgjedhjen e presidentit na vë përpara një situate urgjente për veprim. Ne kemi një marrëveshje me LDK-në, por e dimë që ajo u shkel dhe u braktis nga gjashtë deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre”, u shpreh Kurti.
Duke folur për kohën e mbetur, ai përsëriti se kanë ngelur vetëm gjashtë ditë në dispozicion për të gjetur një zgjidhje konsensuale dhe për të emëruar presidentin ose presidenten e re të vendit.
“Para nesh po sot kemi edhe 6 ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re dhe zgjedhjes së presidentit, përveç së arritjes së një marrëveshje të re dhe zgjedhja e presidentit është e mundshme, rrjedhimisht zgjedhjet e reja të panevojshme me pasoja të rënda gjithsesi se janë të shmangshme, andaj le të ulemi bashkë”, shtoi ai.
Në fjalën e tij, shefi i ekzekutivit paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje do ta zhyste vendin në një cikël të ri zgjedhor, i cili jo vetëm që nuk e zgjidh ngërçin e presidentit, por thellon më tej bllokimin institucional.
“Zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend edhe një herë, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq qeveria do të mbetej në detyrë. Nuk kemi nevojë që të shkojmë pa numër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë. Vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional”, përfundoi Kurti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: